Aktuale

Gjykata anulon vendimin e MPB-së me të cilin njëri nga gjashtë “Gylenistët” ishte deportuar nga Kosova

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Administrativ, ka aprovuar kërkesën e shtetasit turk, Osman Karakay, për anulim të vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), me të cilin ai së bashku edhe me pesë “gylenistë” tjerë, ishte deportuar nga Kosova për në Turqi.

Këtë vendim e ka marrë gjykatësja Anita Nikqi-Morina, më 20 nëntor të këtij viti, pas mbajtjes së seancës për këtë rast.

Sipas këtij aktgjykimi që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, kërkesa e Karakay është e bazuar, ndërsa anulohet vendimi i Komisionit të Ankesave për të Huajt në kuadër të MPB-së dhe urdhri për largim me forcë i 29 marsit 2018, përderisa çështja do të kthehet në rishqyrtim dhe rivendosje te MPB.

Ky vendim është marr në bazë të padisë së paraqitur nga Karakay, më 12 qershor të vitit 2018, i cili përmes saj kishte kërkuar anulimin e vendimit të MPB-së, përkatësisht Komisionit të Ankesave për të Huajt, për shkak se sipas paditësit, nuk ishin aplikuar drejtë dispozitat ligjore, duke u konstatuar në mënyrë të gabuar gjendja faktike.

Sipas padisë, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj në kuadër të MPB-së, më 29 mars 2018, kishte nxjerrë urdhër për largim me forcë, përmes të cilit kishte vendosur që paditësin ta largojë nga Republika e Kosovës, me arsyetimin se ai përbën rrezik për sigurinë kombëtare të Kosovës.

Ndaj këtij vendimi, paditësi Karakay kishte paraqitur ankesë duke kërkuar anulim të vendimit në fjalë.

Komisioni për ankesa më 4 maj 2018, kishte nxjerrë vendim përmes të cilit i kishte refuzuar ankesën paditësit dhe kishte lënë në fuqi vendimin e Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj, për urdhër largimin me forcë të tij nga Kosova.

Ndërsa, në bazë të arsyetimit të aktgjykimit thuhet se gjykata gjen se urdhri për largimin me forcë është i rregulluar me dispozita të neneve 97 dhe 98 të Ligjit për të Huajt dhe jo me nenin 99, pika 2, siç i është referuar në arsyetim të urdhrit të atakuar, i cili ishte nxjerrë nga MPB-ja.

Gjykata tutje, konstaton se në vendimin e organit të paditur nuk është sqaruar në mënyrë adekuate nëse ndonjë nga kushtet e përcaktuara me nenin 97 të Ligjit për të Huajt është plotësuar në rastin konkret.

Pra, në vendimin e goditur me padi vetëm është thënë në kuptim të përgjithshëm se janë plotësuar kushtet ligjore për largimin me forcë të paditësit nga territori i Kosovës për shkak se qëndrimi i tij i mëtejmë në Republikën e Kosovës përbën kërcënim që lidhet me sigurinë shtetërore dhe rendin publik.

Gjykata, tutje në vendimin e saj thotë që në vendimin e MPB-së askund nuk theksohet mënyra e transportit të paditësit për në vendin e origjinës, vendin e destinacionit, datën dhe vendin ku do të ekzekutohet vendimi, e që mungesa e këtyre elementeve e bën vendimmarrjen administrative që ishte objekt i shqyrtimit në gjykatë, të paligjshme.

Të gjitha këto, sipas këtij vendimi, përbëjnë të meta juridike të vendimit të cilat organi i paditur nuk i ka shqyrtuar në mënyrë adekuate dhe as nuk i ka shqyrtuar pretendimet e ngritura në procedurën e ankimimit të palës paditëse.

Ndryshe, përveç tij, padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka paraqitur edhe njëri nga “gylenistët” e tjerë, Kahraman Demirez, të cilët ishin deportuar nga Kosova për në Turqi, në mars të këtij viti, e i cili u është drejtuar institucioneve të drejtësisë, për të kërkuar anulimin e vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), me të cilin atij i ishte revokuar leja e qëndrimit në Kosovë.

Për të kundërshtuar një vendim të tillë, ai përmes përfaqësuesit të tij, Urim Vokshi, në maj të këtij viti, e ka paditur Ministrinë e Punëve të Brendshme, kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”.

Seanca gjyqësore lidhur me shqyrtimin e kësaj padie, ishte mbajtur më 7 dhjetor 2018, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në Departamentin Administrativ.

Ndërsa, sipas vendimit të MPB-së që kishte siguruar “Betimi për Drejtësi”, në arsyetim thuhet se “në mbështetje të ligjit për të huajt, bazuar në dëshmitë që posedojmë nga institucionet kompetente të sigurisë, konsiderojmë se janë përmbushur kushtet ligjore për revokim të vendimit për leje qëndrim të përhershëm të datës 24 shkurt 2016, për shtetasin e huaj Kahraman Demirez”.

Ndryshe, në këtë rast ishin arrestuar dhe deportuar për në Turqi gjashtë shtetas turq, që jetonin dhe vepronin në Kosovë.

Ky rast kishte zgjuar reagime të mëdha si në Kosovë, ashtu edhe jashtë saj. Lidhur me këtë, kohëve të fundit në Kuvendin e Kosovës, është krijuar edhe një komision hetimor.