Votuesit taivanezë kanë vendosur që ta mbështesin një referendum i cili e përshkruan martesën si bashkim i një burri dhe një gruaje, duke ia dhënë një goditje liberalizmit në Azi, pas debateve të ashpra për të drejtat e martesës. Gjykata kushtetuese në maj të vitit 2017 kishte deklaruar se çiftet e gjinisë së njëjtë kanë të drejtë ligjore që të martohen dhe kishte dhënë afat prej dy vitesh që çështja të legalizohet.
Sidoqoftë, autoriteti zgjedhor i ishullit më herët gjatë këtij viti e miratoi mbajtjen e një referendumi, i cili është kërkuar nga të dyja grupet kundështare, konservatorët dhe grupet për të drejtat e martesës mes gjinive të njëjta. Ndonëse rezultatet zyrtare nuk janë publikuar ende, më shumë se gjashtë milionë njerëz e kanë miratuar një varg iniciativash që e kundërshtojnë barazinë në martesë, duke e mundësuar mbajtjen e votimeve.
Ky votim paraqet një humbje të madhe për aktivistët e të drejtave të këtij komuniteti. “Kjo është fitore për të gjithë njerëzit që i mbështesin vlerat e familjes dhe edukimin e gjeneratës së ardhshme”, tha udhëheqësi i grupit që e kundërshton lejimin e martesave të tilla. Në anën tjetër, grupi që i përkrah këto martesa ka thënë se ky referendum është joligjor dhe kundërkushtetues dhe se e ka përçarë e lënduar shumë shoqërinë. “Rezultati tregon se shumica e njerëzve janë mashtruar nga të dhënat e rreme të grupeve kundërshtare”, thuhej në deklaratë.
Referendumi është një sfidë për presidenten Tsai Ing-Wen, për të cilët aktivistët thonë se është tërhequr nga premtimi që e kishte bërë gjatë zgjedhjeve se do ta mbështesë të drejtën e zgjedhjes së martesës. Kjo çështje e ka ndarë vendin në dy grupe dhe kjo vërehet edhe në rrjetet sociale dhe në diskutimet publike, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.