Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit ka thënë se pret që Austria të procedojë në Këshill të Ministrave, çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Në një konferencë për media, Veseli ka thënë se qytetarët kanë mbetur të izoluar padrejtësisht.
“Deri më tani na është thënë qe liberalizimi s’është çështje politike, por tërësisht teknike. Tani kanë filluar të ndihen zëra se është çështje politike. Do të thotë se për 10 vite nuk ka pasur ndonjë kriter të caktuar që qytetarët të mos mund të lëvizin lirshëm nëpër Evropë”, ka thënë Veseli.
Sipas tij, Kosova do të vazhdojë të insistojë në të drejtën e saj për të lëvizur, do të vazhdojë lobimin deri në fund.
“Nuk tërhiqem nga sfida, por do të jem akoma edhe më i zëshëm. Ne jemi krenarë për çka jemi, por duhet të jemi më insistues akoma dhe s’duhet të lejojmë të na mohohet e drejta të lëvizim. Përndryshe, ky do të ishte racizëm i skajshëm”, ka përfunduar Veseli. /Express/