Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se kërkesa amerikane për tërheqje të UNMIK-ut nga Kosova nuk do t’i linte zgjidhje tjetër vendit të tij përpos “të mbrojë” popullin e tij në Kosovë.
Vuçiqi nuk specifikoi se çfarë veprimi do të ndërmerrte Serbia ndaj Kosovës.
Por kërcënimi i tij i hapur të mërkurën erdhi pasi ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, bëri thirrje për zhvillimin e një “strategjie dalëse” për UNMIK-un, raporton AP.
Vuçiqi tha se largimi i tij [misionit të OKB-së], si dhe formimi i mundshëm i Ushtrisë së Kosovës, do ta sillnin Serbinë para një pozicioni pa zgjidhje “përpos të mbrojë vendin dhe popullin tonë”.
“Shpresoj që askush nuk do të na sjellë në atë pozicion”, ka thënë Vuçiqi pas diskutimit që pati me presidentin austriak, Alexander Van der Bellen, transmeton Koha.net.
Ai tha po ashtu se mungesa e kuptimit të situatës në Ballkan mund të sjellë pasoja tragjike.
“Formimi i Ushtrisë së Kosovës do të paraqiste problem të madh për Serbinë dhe tërë rajonin. Mos na sillni në situatën kur mbështetemi për muri dhe vetëm mund të mbrohemi”, tha Vuçiqi.
Sipas fjalëve të tij, nuk ekziston asnjë akt ndërkombëtar që lejon formimin e Ushtrisë së Kosovës.
“Jemi të shqetësuar nga deklaratat se ajo ushtri do të formohet deri në fund të vitit, gjë që do të na vinte neve në pozicion të pamundshëm”, shtoi ai.
Ai tha se Beogradi është gjithmonë i gatshëm për bisedime, por “nevojitet një zgjidhje kompromisi” dhe shtoi se “nuk lejojmë që Serbia të humb gjithçka, e dikush tjetër të fitojë gjithçka”. /Koha.net