Aktuale

Veseli: Nuk ka forcë që na ndalë drejt rrugës për forcimin e shtetit ligjor dhe demokracisë

Kuvendi i Kosovës shënoi si tradicionalisht Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, duke i hapur dyert për vizitorë.

Në Ditën Ndërkombëtare u shpalos plani i veprimit për transparencë parlamentare dhe u organizuan aktivitete të ndryshme që e afirmojnë ndërtimin e demokracisë.

Për nder të kësaj Dite, kryetari i Kuvendit, Kadri Vesli dhe një mesazh të qartë, duke thënë se nuk ka forcë, as nuk ka qëllim që do t’i ndal drejt rrugës së tyre për forcimin e shtetit ligjor dhe demokracisë

 

“Kemi dhënë shumë për këtë ditë si popull e dimë se kemi arritur një sukses falë angazhimi… falë partnerëve dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së. Në të njëjtën kohë në rrugën tonë kemi bërë edhe gabime, për të cilat veçanërisht ne politikanët e Kosovës duhet të jemi edhe më të përgjegjshëm… të cilët kanë idealin e tyre që Kosova është një vend edhe më zhvilluar dhe një vend më demokratik… Me urimin për Ditën e Demokracisë do ta  përfundoj fjalimin tim me një mesazh:  nuk ka forcë, as nuk ka qëllim që na ndal drejt rrugës tonë për forcimin e shtetit ligjorë, demokracisë, dhe shtetit tonë të pavarur dhe sovran”, tha Veseli.

Drejtor i Zyrës së USAID- në Kosovë, James Hope,  tha se Kuvendi është vendi më i duhur për shënimin e kësaj dite të Demokracisë, andaj ai ka përgëzuar Kuvendin që ka ndër marrë iniciativë për promovimin e pjesëmarrjes qytetare në zhvillime.

 

“Jemi këtu për të shënuar fundin e një partneriteti që kemi pasur ne me një Program, ku kemi mbështetur punën kërkimore në parlament për të dy vitet e kaluara… Ky ka qenë një program, i cili është udhëhequr nga organizata vendore KDI… dhe ky është ai lloj programi që është i përkryer për të folur për të në Ditën ndërkombëtare të Demokracisë… Pikërisht është kjo që ajo duhet bërë dhe bëjmë në këtë ditë, të hap dyert për qytetarët dhe të krijoj lidhje, urat e miqësisë në mes të qytetarëve, deputetëve dhe tërë parlamentit”, tha Hope.

Ndërsa, deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Topalli, i cili mori fjalën pa iu dhënë nga organizatorët, tha se nuk mjafton vetëm një ditë e demokracisë, pasi sipas tij 364 ditë në Kuvend nuk ka demokraci.

Ai përmendi kryetarin e Grupit Parlamentar të partisë së tij, Glauk Konjufcë dhe dy deputetët tjerë të cilët në këtë ditë janë në masa policore.

 

“Në ditën e Demokracisë dua t’ju përkujtoj se Glauk Konjufca, kryetar i Grupit parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje dhe dy deputetë  tjerë janë në masat policore. Pra, kjo nuk është demokracia të cilën ne e dëshirojmë në Kosovë. Demokracia është ajo që është në Shtetet të Bashkuara të Amerikës, demokracia është ajo që është në Evropë, por kësaj që ne po përjetojmë këtu nuk është demokraci. Po shfrytëzoi këtë rast se fjala nuk iu dha fare opozitës… ne si opozitë dhe Lëvizje vetëvendosje do të jemi vazhdimisht të angazhuar  për të ndërtuar demokracia në Kosovë”, tha deputeti Topalli.

Atij i është kundërpërgjigjur menjëherë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se “proletarët si Fatoni flasin kur duan dhe arrijnë suksesshëm ta tregojnë shpirtin e vetë demokratik”.

 

“Edhe proletarët si Fatoni flasin kur donë dhe arrijnë suksesshëm ta tregojnë shpirtin e vet demokratik”, tha Veseli gjatë reagimit që i bëri deputetit të VV, Topalli.

Gjatë fjalimit të kryetarit Veseli pati edhe fishkëllima nga disa qytetarë të cilët ishin në holl të Kuvendit.

Në kuadër të kësaj Dite, është bërë edhe dorëzimi i hulumtimeve parlamentare nga Instituti Demokratik i Kosovës(KDI) tek Kuvendi.

Drejtuesi i KDI-së, Ismet Kryeziu, për zbatimin e Ligjeve të nxjerra nga Kuvendi, tha KDI ka arritur t’i realizojë shtatë hulumtime.

Në kuadër të aktiviteteve, është hapur edhe panairi i organizatave të shoqërisë civile. Po ashtu drejtues të kuvendit për shënimin e Ditës së demokracisë kanë ndarë edhe çmime për nxënësit që kishin punuar piktura./KP