Aktuale

Abrashi: Së shpejti do njihet statusi i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, të Kosovës, Arban Abrashi ka njoftuar se së shpejti fillon procesi i njohjes dhe verifikimit të statusit të viktimave të dhunës seksuale gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës.

“Në dy takime të ndara, takova përfaqësuesit e UN Women në Kosovë të udhëhequr nga znj. Flora Macula, si dhe znj. Chrystele Todd nga Iniciativa për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikte pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar.

Në dy takimet trajtuam hapat e ndërmarrë deri më tani nga MPMS lidhur me procedurat për njohjen dhe verifikimin e statusit te viktimave të dhunës seksuale gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, si konkursi tashmë i shpallur për anëtarët e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimave të dhunës seksuale dhe themelimin e Zyrës Përkrahëse administrative që do të asistojë Komisionin Qeveritar.

U pajtuam për nevojën që Kosova më në fund të largojë stigmën e padrejtë ndaj viktimave të dhunës seksuale të luftës dhe t’u ofrojë atyre drejtësinë e munguar, proces ky që fillon shumë shpejt.” shkruan Abrashi.