Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Naim Rexha, ka bërë të ditur se policia e Kosovës ka nisur hetimet në të gjitha drejtimet në bashkëpunim me prokurorinë e shtetit, në lidhje me rastin e aksidentimit të dy policëve në magjistralen Kaçanik-Hani i Elezit.
Sipas tij, pas realizimit të ekspertizave të ndryshme, bazuar në ato raporte del se nuk ka pasur asnjë ndërhyrje kriminale nga ndonjë faktor i jashtëm.
Gjithashtu është bërë e ditur se bazuar në ekspertizën e bërë në automjetin me të cilin ishin në lëvizje policët, kjo veturë ishte teknikisht në rregull.
Këto komente Naim Rexha i bëri gjatë paraqitjes së tij para Komisionit për Punë të Brendshme, njofton Klan Kosova.
Policët Malësor Dashi dhe Armend Trena ishin aksidentuar ditën e shtunë ndërsa vetura e tyre kishte rënë në rrjedhën e lumit Lepenc. Pas gjashtë ditësh kërkimi trupi i pajetë i Malësor Dashit është gjetur dje rreth 5 km larg vendit të aksidentit, ndërsa kërkimet për Armend Trena janë duke vazhduar ende.