Arsim & Kulturë

“International Student Conference” e Kolegjit AAB mblodhi studiues nga e mbarë bota

Me një ceremoni solemne, Kolegji AAB ka nisur punimet e Konferencës Studentore Ndërkombëtare “International Student Conference” të organizuar nga ky kolegj, në të cilën mblodhi studiues të ndryshëm nga vendi, rajoni dhe bota.

Me këtë rast, prorektori për shkencë në Kolegjin AAB, Hasan Saliu, tha se kjo konferencë është edhe një dëshmi shtesë e angazhimit dhe e përkushtimit akademik e shekncor të këtij kolegji.

Ai njoftoi se Kolegji AAB deri më tani ka organizuar disa konferenca shkencore ndërkombëtare nga fusha të ndryshme studimi, si konferencat e komunikimeve dhe studimeve mediatike, të drejtësisë, psikologjisë, konferenca të ekonomisë, ajo e çështjeve sociale, linguistikës etj.

“Këto konferenca janë organizuar në AAB me partnerë të ndryshëm rajonalë e ndërkombëtarë, si Universitetin e Tiranës, Elbasanit, Sarajevës, Osjekut, Universitetin e Peruxhës, ndërsa në qershorin e kaluar një panel i ishte rezervuar AAB-së nga Universiteti publik i Milanos. Muaj më parë ishim bashkëorganizator i një konference në Tiranë me Universitetin e Durrësit, disa universitete të atjeshme private dhe ISA; bashkëorganizatore e një konference nga psikologjia dhe pedagogjia me Universitetin e Tiranës, Universitetin Bicocca të Milanos dhe disa partnerë të tjerë. Kemi shpallë thirrje për konferenca dhe partneritet kërkimor edhe me universitete të tjera, ajo me Universitetin e Barit muajve të ardshëm, Manastirit dhe disa shkollave maqedonase, universitete turke e sllovene”, tha prorektori Saliu.

Ai shtoi se përveç organizimit të shumë konferencave kërkimore ndërkombëtare, edhe sfera e botimeve është një anë tjetër e fortë e Kolegjit AAB.

“Përveç revistës shkencore “Thesis” që botohet tashmë që 10 vjet me ISSN dhe Bord Ndërkombëtar, AAB Press publikon një gamë të gjerë librash studimor nga fusha të ndryshme. Ditë më parë, promovuam pesë tituj studimorë nga stafi i ynë”, shtoi Saliu.
Kurse Fidan Qerimi, nga komiteti organizativ i konferencës, në fjalën e tij foli për mundësitë që ju ofrohen studentëve të Kolegjit AAB nga kjo konferencë.

“Qëllimi i organizimit të kësaj konference është që studentët e nivelit MA dhe PhD të rritin interesimin për të kontribuar në aspektin shkencor, të kenë mundësi të publikimit të punimeve shkencore dhe për të ndarë ato njohuri me studentët tjerë pjesmarrës.

Ndërsa, presidentja e Unionit të Studentëve të Kolegjit AAB, Flaka Vitaku foli për eventet e ndryshme që organizon Kolegji AAB.

“Së bashku, ne kemi krijuar evente, debate, aktivitete nacionale dhe internacionale sportive të ndryshme. Çdo javë mbajmë ligjerata me kryetarët e qyteteve të shtetit tonë dhe po ashtu me figura të njohura, si dhe mos të harrojmë që javën e kaluar në Kolegjin AAB, mysafir ka qenë presidenti i Unionit Studentor Europian, i cili mbajti një ligjeratë në prani të studentëve.

Ai na inkurajoi qe të vazhdojmë me punën e mirë dhe të bashkëpunojmë me ta në të ardhmen”, u shpreh Vitaku.

Albulena Prestovci, komiteti organizativ i konferencës, në fjalëne saj tha se Puna e stafit organizativ do të vazhdojë dhe në ditët në vijim dhe punimet e përzgjedhura, pas një recensioni të dyfishtë, do të botohen edhe në revistën Shkencore Ndërkombëtarë të Kolegjit AAB, “Thesis”.

Konferenca Studentore Ndërkombëtare “International Student Conference” do të vazhdojë punimet më 25, 26 dhe 27 prill në Kolegjin AAB. /Gazeta KNN