Për nder të “23 Prillit” – Ditës Ndërkombëtare të Librit, Kolegji AAB bashkë me Shtëpinë Botuese AAB Press dhe Biblioteka Universitare e Kolegjit organizoi sot disa aktivitete.
Në kuadër të kësaj ditë, Shtëpia Botuese AAB ka botuar pesë libra me autorë të ndryshëm, librin “E drejta Kushtetuese” me autorë Arsim Bajrami & Florent Muçaj, një libër që do t’u shërbejë studentëve të fakulteteve juridike; Librin e Jusuf Osmanit dhe Asllan Muratit – “Fehrat Bej Draga shembull atdhetarie”, një personaliteti të shquar të historisë sonë kombëtare; Librit universitar “Krimi Kompjuterik” me autorë Veton Vula & Mensut Ademi; Librit “Shkenca në (R)Evolucion”, të autorit Hajdin Abazi si dhe Librin “Diplomacia bashkëkohore dhe mediat” të autorit Burim Etemaj.
Me këtë rast, rektori i Kolegjiet AAB, Lulzim Tafa falënderoi autorët që kanë zgjedhur Shtëpinë Botuese AAB për t’i botuar këta libra, njëkohësisht u dëshiroi suksese dhe bashkëpunim të më tejshëm.
Ndërsa, Arsim Bajrami, bashkautor i librit “E drejta Kushtetuese”, e uroi Kolegjin AAB për këtë aktivitet për Ditën Botërore të Librit, duke thënë se “me këtë AAB po tregon që, për të nuk është më rëndësi vetëm misioni i thjeshtë i mësimdhëniës, por edhe investimi në botime, në hulumtime dhe padyshim që ky është një prej shembujve të mirë në Kosovë në sferën e arsimit të lartë”.
Ai, për librin “E drejta Kushtetuese”, tha se është mjaft i kënaqur pasi që është punuar në të për më shumë se dy vite, me mjaft kujdes dhe libri u dedikohet në radhë të parë studentëve të shkencave juridike, të shkencave politike, dhe të atyre të administratës publike.
“Si nje libër i kompletuar për të drejtën Kushtetuese që përmban tri pjesë shumë të rëndësishme, të drejtën kushtetuese krahasuese, të përgjithshme, të drejtën kushtetuese të Republikës së Kosovës e azhurnuar përfundimisht në muajin e kaluar, pra duke përfshirë edhe zhvillimet që kanë ndodhur pas 10-vjetorit të Pavarësisë, duke parë edhe krizat kushtetuese që ka pasur Kosova, mënyrën se si i ka menaxhuar ato kriza dhe pjesa e tretë praktike, e cila do t’u ndihmojë studentëve që ata edhe praktikisht nesër të bëhen legjislatorë të mirë, të punojnë jo vetëm në aspektin teorik, por edhe në aspektin praktik”, tha Bajrami.
Në këtë promovim foli edhe prof. Adem Zejnullahu, recesenti i librit “Fehrat Bej Draga shembull atdhetarie”, që u botua sot në Kolegjin AAB.
Ai tha se në vargun e figurave më të shquara të kombit tonë, Fehrat Bej Draga zë vend të veçantë në kohë kur jetoi dhe veproi, pasi që me angazhimin e tij u bë simbol i qëndresës, sakrificës dhe atdhedashurisë.
“Vepra monografia “Fehrat Bej Draga shembull atdhetarie” përbën një në vetë tërë veprimtarinë jetësore e kombëtare të kësaj figure të shquar në raport me popullin, atëdheun, pushtuesit e huaj. Kjo vepër, në rrafshin historik, analitik dhe semantik ka një rëndësi të veçantë. Ajo kumton fuqishëm me akte e fakte në kohë dhe hapësirë të caktuar për realitetin jetësor dhe historik të popullit tonë në një në një periudhe tejet të vështirë të mbijetesës kombëtare. Të dhënat e paraqitura bazohen në burime dokumentare e arkivore, kronika bibliografike, historiko-shkencore si dhe të letërkëmbimeve konsulare të Shqipërisë dhe vendeve të tjera ballkanike dhe evropiane që ishin të angazhuara për çështjen shqiptare. E tërë monografia përmban 214 dokumente arkivore”, tha Zejnullahu.
Ai shtoi se kjo monografi dokumentare për këtë personalitet të shquar kombëtar, do të jetë shembull i çmuar i frymëzimit dhe i mobilizimit të gjeneratave të reja se si duhet dashur e mbrojtur me sakrificë atëdheu dhe populli në kohë të vështira.
Fjalën në këtë promovim e morën edhe Veton Vula, baskautor i librit “Krimi Kompjuterik” si dhe Burim Etemaj , autor i librit “Diplomacia bashkëkohore dhe mediat”. /Gazeta KNN