Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ka folur për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe nisjen e hapave të parë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – shkruan Periskopi.
Ajo i ka cilësuar si lajme të mira hapat e ndërmarra për themelimin e Asociacionit pas një kohe të gjatë.
Gjatë prezantimit të Raportit të Progresit për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Mogherini deklaroi se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje të pranueshme për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.
“Marrëveshja duhet të arrihet. Lidershipi dhe popujt janë të përgjegjshëm dhe duhet ecur përpara me kompromis, që të kemi situatë më të mirë për dy vendet. Fillimi i draftimit të statusit të Asociacionit ka filluar punën në Prishtinë, pas një kohe shumë të gjatë. Mendoj se është lajm i mirë që ka filluar dhe tani do t’i inkurajoja që të vazhdojnë me punën”, ka deklaruar Mogherini.
Tutje, ajo ka thënë se duhet të implementohen edhe marrëveshjet e arritura gjatë dialogut në Bruksel mes dy vendeve.
“Besoj në mënyrë të fuqishme se një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve mund të arrihet. Por kjo nuk do të thotë që marrëveshjet e arritura nuk duhet të zbatohet. Falë dialogut, duhet të zbatohen marrëveshjet. Edhe pse ka shumë punë për t’u bërë. E shoh se është në interes të dy vendeve për ta bërë këtë”, përfundoi ajo./Periskopi