Aktuale

Dialogu Kosovë-Serbi: Nesër bisedohet për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe

Nesër në Bruksel, si pjesë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë do të flitet për marrëveshjen e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Drejtori i  Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq i cili është pjesë e delegacionit në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, tha se do të jetë pjesë e vazhdimësisë së dialogut i cili do të mbahet nesër (9 shtator) në Bruksel, mirëpo ka njoftuar se dialogu do të zhvillohet në nivel ekspertësh, shkruajnë mediat serbe, transmeton Express.

“Temat e diskutimit të nesërm do të jenë, marrëveshja e themelimit të Asosiacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, kadastra, njohja e diplomave, lirisë së lëvizjes dhe caktimi i kufijve në pjesën veriore dhe jugore të Mitrovicës”, ka thënë Gjuriq.

Delegacioni i Beogradit, përveç përfaqësuesve të Zyrës për Kosovën dhe Zyrës për detyrat e koordinimit në procesin e negociatave, pjesë e dialogut do të jenë edhe përfaqësuesit qeverisë serbe të Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Shkencës dhe Teknologjisë, autoritetet e gjeodezisë dhe agjencia për kthim. /GazetaExpress/