Aktuale

Policia, institucioni më kredibil në vend

Policia e Kosovës është vlerësuar lart sot në 17 vjetorin e themelimit. Këto vlerësime në këtë ditë të rëndësishme për policinë janë dhënë nga kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni dhe drejtori i Policisë Shpend Maxhuni.

Mustafa dhe Hyseni kanë lavdëruar profesionalizimin e Policisë sidomos në ngjarjet e fundit ku policia janë përballur me protesta të ndryshme, ndërsa drejtori Maxhuni tha se institucioni që ai drejton është më kredibilet në vend.

Me këtë rast kryeministri Mustafa, tha se  ky përvjetor është edhe përvjetor i  sakrificës, edhe i ndërtimit të policisë, edhe i punës.

 

“Unë mund të them se ju keni bërë punë të mrekullueshme, se Policia e Kosovës ka bërë një punë të lartë profesionale ka treguar profesionalizëm , ka treguar disiplinë, ka treguar përkushtim për mbajtjen e rendit dhe qetësisë në shërbim të qytetarëve të Kosovës, në shërbim të integritetit territorial dhe sovranitetit tonë”, tha kryeministri.

Mustafa i përgëzoi policinë edhe për punën e bërë kohëve të fundit kur tha se pjesëtarët e policisë janë ballafaquar me shumë sfida.

 

“Unë e di se ju nuk e keni pas lehtë sidomos kohëve të fundit jeni ballafaquar me shumë sfida dhe probleme por mund të them se të gjitha këto i keni menaxhuar mirë, e keni mbrojt qytetarin e Kosovës, e keni mbrojtje pasurinë shtetit, keni zbatuar ligjin dhe ju përgëzoj për të gjitha punët e mira që i keni bërë dhe për suksesin që e keni arrit juve, ministrinë e juaj, MPB-në dhe po ashtu dëshiroj që këto suksese ti shtojmë në periudhën e ardhshme”, tha Mustafa.

Sikurse shefi i tij edhe ministri Skënder Hyseni  ka përmendur angazhimin e Policisë sipas të cilit pjesëtarët e këtij institucioni u ballafaquan me sfida makabre.

 

“Sot kemi shumë arsye për të qenë krenar sepse kemi Policinë profesionale absolutisht me integritet të madh edhe njerëzor edhe profesional, një Polici të përkushtuar për Republikën e vet, për shtetin e vet, mëmëdheun e vet që nuk i mungon vullneti as gatishmëria për t’u përballur me sfidat ndonjëherë më makabre që mund të përballet një Polici demokratike në një vend demokratik. Policinë demokratike që alfa dhe omega, udhërrëfyes ekskluziv, paqësor dhe vetëm ka ligjet e Republikës së Kosovës dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, tha Hyseni.

Kurse drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni, tregoi për punë  e pjesëtarëve të Policisë dhe zhvillimin e këtij institucioni që nga themelimi.

 

“Falë angazhimit dhe punës të secilit pjesëtar të Policisë së Kosovës ne shumë shpejt avancuam drejt të qenit institucion serioz. Sot me të drejtë Policia vlerësohet si një nga institucionet më kredibile në vend. Policia është fuqishëm e përkushtuar që të përmbushë misionin e saj. Fokus kryesor do të ketë luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit”, tha Maxhuni.

Ministri Hyseni dhe drejtori Maxhuni në fund të ceremonisë ndanë edhe mirënjohje dhe medalje për policët e dalluar./KP