Samiti i G20-ës do të jetë rekord i pjesëmarrjes, pasi do të jetë hera e parë që kaq shumë udhëheqës të lartë botërorë do të takohen në Kinë.
Në samitin e parë të G20-ës që do të mbahet në Kinë, liderët botërorë janë shprehur se duan të përqendrohen në radhë të parë mbi mënyrat se si do të vënë në lëvizje ekonominë e ngadaltë botërore.
Megjithatë, takimi dyditor, të dielën dhe të hënën në Hangzhu, i grupit të vendeve kryesore industriale dhe ato në zhvillim është lënë në hije për shkak të krizave dhe konflikteve në botë.
Në samit pritet të diskutohen edhe çështjet e poshtëshënuara:
UKRAINA – Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka gjasa që të bisedojë me presidentin rus,Vladimir Putin lidhur me konfliktin në Ukrainë.
SIRIA – Ushtria ruse luan një rol kyç në konfliktin sirian duke mbështetur ushtrinë e presidentit sirian, Bashar Assad, ndërsa SHBA-ja është përqendruar në fushatën e saj ajrore kundër Shtetit Islamik si dhe mbështet forcat rebele që po luftojnë grupin terrorist.
BREXIT-i – Samiti i G20-ës është ngjarja e parë e madhe në skenën ndërkombëtare për kryeministren britanike, Theresa may. Anëtarët e G20-ës janë të shqetësuar se pasiguria që rrethon daljen e planifikuar të Britanisë nga BE-ja, mund të bllokojë rimëkëmbjen ekonomike në mbarë botën.
TURQIA: Obama ka në plan të takohet me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan për të diskutuar luftën e intensifikuar në kufirin turko-sirian.
GRUSHTI I SHTETIT (TURQI): Erdogan akuzoi evropianët për mungesë solidaritetit, kur ata kritikuan marrëdhëniet e tij të rënda me figura të opozitës pas grushtit të shtetit.
DETI I KINËS JUGORE: Kina do të preferonte të mos diskutonte konfliktin me fqinjët e saj mbi ishujt e diskutueshëm, në Detin e Kinës Jugore.
EKONOMIA BOTËRORE: Samiti i G20-ës kërkon reforma strukturore dhe politika fiskale dhe monetare që do të ndihmojnë në përmirësimin e ekonomisë botërore.