Ambasada gjermane në Kosovë, në një postim në Facebook një ditë para se të votohet marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi ka kërkuar që debati nesër të jetë paqësor, demokratik dhe konstruktiv.
Kjo ambasade ka thënë se përdorimi i dhunës për të influencuar debatet është e papranueshme.
Ambasada gjermane po ashtu ka shkruar se deputetët duhet t’i kenë parasysh gjetjet e fundit të ekspertëve të huaj nga Komisioni Ad Hoc.
Shkrimi i plotë në Facebook:
“Në prag të ngjarjeve të fundit dhe seancës parlamentare të Kuvendit të Kosovës, e cila është caktuar të mbahet nesër, do të donim ta përsërisnim prapë thirrjen (tonë) për debat konstruktiv, demokratik dhe paqësor. Të gjitha pikëpamjet politike me të drejtë duhet të dëgjohen, ndërsa protestat paqësore janë e drejtë e çdo qytetari në një demokraci”
Sidoqoftë, kërcënimet apo përdorimi i dhunës për t’i frikësuar kundërshtarët politikë dhe për të influencuar debatet është diçka e papranueshme. Ne i inkurajojmë të gjitha palët që të kenë parasysh të gjeturat e fundit të Komisionit Ad Hoc me ekspertë të huaj të ftuar nga Presidentja Jahjaga në mars të këtij viti, i cili erdhi në përfundim se procesi i shënjimit të vijës kufitare “ishte konform normave internacionale’, përfundon shkrimi i Ambasadës Gjermane.