Aktuale

Haradinaj: Koalicioni s’i ka numrat, deputetët nuk kanë vullnet ta ratifikojnë demarkacionin

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) më 1 shtator do të jetë në Kuvend. Kjo parti do të angazhohet që të bindë deputetët që mos ta votojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Mirëpo, AAK-ja nuk do të merr pjesë në protestën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.

Kështu ka thënë Daut Haradinaj, deputet i AAK-së në një intervistë për lajmi.net. Sipas tij, qeveria nuk i ka numrat për ratifikim dhe se deputetët nuk kanë vullnet për të ratifikuar një marrëveshje që i humb territor Kosovës.

Sa i përket protestave Haradinaj ka thënë se më 14 maj është dëshmuar se qytetarët janë kundër kësaj marrëveshje dhe beson se edhe deputetët e pozitës dhe opozitës do të votojnë kundër.

Lajmi.net: Demarkacioni  është përcaktuar të votohet më 1 shtator. A do të merrni pjesë në atë seancë , meqë ka afërsisht  gjashtë muajt që jeni larguar nga Kuvendi?

Haradinaj: Po ne jemi largu pikërisht për shkak të demarkacionit, për shaka se kemi konsideruar se territori i Kosovës po dëmtohet nga ajo marrëveshje dhe si rezultat i saj po humb territor dhe kemi zgjedhur një metodë të vetme, demokratike në një farë forme bojkotimi i Kuvendit deri në rastin kur kjo (marrëveshja për demarkacionin) të kthehet në sallë. Mendoj që deputetët tashmë e kanë kuptua se kjo marrëveshje është e dëmshme për Kosovën.

Lajmi.net: Pra më 1 shtator do të jeni në Kuvend?

Haradinaj: Po, po, do të jemi në Kuvend dhe do ta japim kontributin tonë që deputetët mos mi dhënë votë për.

Lajmi.net: Ju dhe partia e juaj keni qenë kundërshtare që nga fillimi i marrëveshje së demarkacionit në këtë formë, cili do të jetë kundërshtimi juaj më 1 shtator?

Haradinaj: Kundërshtimin e kemi bërë tashmë një vit e gjysmë,  çdo kundërshtim i joni ka qenë që të nxisë opinionin gjë që mendoj se e kemi arritur, dhe kjo marrëveshje tash është në duart e deputetëve, dhe besojë shumë që edhe deputetët e opozitës dhe pozitës do të jenë unik në kundërshtim të kësaj marrëveshje.

Lajmi.net: Po, nëse ratifikohet kjo marrëveshje, çfarë do të bëjë AAK-ja, cilët janë hapat e mëtutjeshëm?

Haradinaj: Do të shihet veprimet e mëtutjeshme, megjithatë kjo marrëveshje nuk kalon, sepse qeveria nuk i ka numrat, deputetët nuk kanë vullnet të votojnë për humbje të territorit.

Lajmi.net: Është bërë bujë e madhe se kush ka të drejtë  apo kush është gabim sa i përket  demarkacionit dhe humbjes apo mos humbjes së 8000 hektarëve tokë. Pse ju mendoni që komisioni ka gabuar?

Haradinaj: Jo vetëm që ka gabuar, por mendoj se ai komision është dashur të shkarkohet edhe është dashur të krijohet një komision i ri me kohë, e jo të vihet deri këtu. Pothuajse të gjitha argumentet e vërtetojnë humbjen e territorit, dhe ne nuk humbim asgjë nëse e japim votën kundër, e rikthejmë në pikën zero ose e dërgojmë në Arbitrazh. Komisioni qeveritar ka bërë gabime fatale, duke lejuar një kriter që në asnjë vend të botës nuk është përdor, siç është kadastri në këtë rast.

Lajmi.net: Komisioni ka thënë se është bazuar në regjistra kadastral  për përcaktimin e vijës kufitare  dhe se askush nuk ka ofruar dëshmi se janë humbur ata 8 mijë hektar tokë?

Haradinaj: Këto janë mashtrime ordinere edhe të presidenti edhe të kryetarit të Komisionit i cili është i emëruar nga presidenti aktual. Është një pyetje shumë e thjeshtë. A posedon Mali i Zi kadastra për territoret e humbura të Kosovës, edhe tash si duhet të veprojmë ne!? Çdo pjesë që nuk ka territor kadastral është pasuri e shtetit, nuk duhet t’i jepet një shteti tjetër dhe këto mendoj që janë lodra me atë cilave po mundohen me manipuluar opinionin publik.

Lajmi.net: T’i kthemi edhe një herë kundërshtimit të marrëveshjes më 1 shtator. Vetëvendosje ka paralajmëruar protesta dhe kanë dhënë fjalë të mëdha se assesi nuk do të lejojnë ratifikimin e marrëveshjes. A do të jeni edhe ju pjesë e këtij kundërshtimi?

Haradinaj: Nuk e di unë çfarë bënë Vetëvendosje, është e drejtë e tyre, e drejtë e qytetarëve me protestu. Ne e kemi dëshmuar më 14 maj, por edhe populli i Kosovës e ka dëshmuar se është kundër kësaj marrëveshje dhe jam i bindur se e kanë kuptuar, dhe besoj shumë se ata deputet të cilët janë kanë pjesë e luftës, nuk po dua me linqu askënd, nuk besoj se do të koriten kësaj radhe dhe ta përbuzin edhe atë kontribut që e kanë dhënë.

Lajmi.net:  A mendoni se sulmet e fundit në Kuvend me anti-tank dhe bomba në shtëpinë e Murat  Mehës kanë lidhje me seancën ku do të ratifikohet ose jo demarkacioni?

Haradinaj: Edhe nëse janë, janë të gabueshme. Kush do që mendon se me kësi veprimesh arrin me një qëllim të caktuar e ka gabim. Mendoj që policia ishte dashtë që në këto raste me vepruar  shumë ma shpejtë. /Lajmi.net/