Rajon & Botë

Vetura hyn me shpejtësi në mesin e turmës, 14 të plagosur

Një veturë është futur në një udhëkryq të mbushur me njerëz në qytetin australian të Melburnit të enjten, duke plagosur 14 persona, tha policia, duke shtuar se kanë arritur të arrestojnë shoferin dhe një tjetër person.

Policia tha se ende nuk dihet motivi i këtij incidenti.

Në janar, katër persona u vranë dhe më shumë se 20 të tjerë ishin plagosur kur një person me dashje kishte hyrë në turmën e këmbësoreve vetëm disa metra larg nga vendi i incidentit të së enjtes, megjithëse ai incident nuk ishte i lidhur me terrorizmin.

Një dëshmitar i tha Australian Broadcasting Corp se automjeti po udhëtonte me shpejtësi 80-100 km / h.

“Ai nuk ngadalësonte”, tha Jim Stoupas, i cili tha se po qëndronte jashtë dyqanit të tij kur vetura hyri në mesin e turmës.