Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha në një konferencë e cila po mbahet në Sofje se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të pranohen në Bashkimin Evropian.
“Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të hyjnë në BE, për të siguruar paqe dhe bashkëpunim afatgjatë në rajon”, tha Thaçi në një konferencë rajonale të organizuar nga Qeveria e Bullgarisë dhe Banka Botërore.
Sipas tij, duhet të sigurohet një perspektivë e qartë evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE duhet të ketë një qasje strategjike në rajon, raporton “b92.net”, transmeton Periskopi.
Zyrtarët e Ballkanit Perëndimor në konferencë diskutuan mbi bashkëpunimin rajonal dhe përmirësimin e bashkëpunimit dhe procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, tha zyra e Presidentit të Kosovës.
Një pjesë e diskutimit të liderëve të rajonit me përfaqësuesit e lartë të Bashkimit Evropian ishte përfundimi i rrjetit rrugor dhe përmirësimi i infrastrukturës së kalimit kufitar.
Thaçi do të bisedojë sot me presidentin bullgar Rumen Radev për thellimin e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Bullgarisë./Periskopi/