Aktuale

Deputetët të kënaqur me funksionalizimin e drejtësisë në Mitrovicë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, Xhevahire Izmaku, Sami Kurteshi dhe Shkumbin Demaliaj, si dhe përfaqësues të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), kanë vizituar sot Prokurorinë Themelore të Mitrovicës në veri të këtij qyteti, me qëllim të rritjes së transparencës dhe fuqizimit e rolit mbikëqyrës të Kuvendit gjatë implementimit të marrëveshjeve të dialogut Kosovë-Serbi.

Kryeprokurori i kësaj Prokurorie, Shyqyri Syla, ka bërë të ditur se marrëveshja është e mirë në tërësi, edhe pse është e mundshme të ketë sfida të cilat do të paraqiten gjatë implementimit. Ai ka potencuar se kjo marrëveshje është e mirë për arsye se tani këtu do të aplikohen ligjet e Republikës së Kosovës dhe asgjë nuk do të jetë jashtë këtyre rregullave.Deputeti Shkumbin Demaliaj, tha se ka filluar sinjali i parë që drejtësia në Kosovë po funksionalizohet brenda sistemit të drejtësisë kosovare. Sipas tij, përkundër sfidave dhe vështirësive tani, ato në të ardhmen do të eliminohen.

Ndërsa, deputetja nga radhët e PDK-së, Xhevahire Izmaku, e ka quajtur tejet pozitiv realizimin e kësaj marrëveshje, ngase siç u shpreh ajo, pas shpalljes së pavarësisë së vendit, tani ka filluar edhe funksionalizimi i prokurorive dhe gjykatave.

Në anën tjetër, deputeti Sami Kurteshi, theksoi se implementimi i kësaj marrëveshje do të tregoj më së miri se si do të ecë puna në këtë drejtim.
Ai shtoi se ndarja etnike e prokurorëve dhe gjykatësve që është bërë sipas marrëveshjes, paraqet diskriminim, sepse përveç shqiptarëve dhe serbëve, nuk janë përfshirë prokurorët dhe gjykatësit e etnive tjera./KosovaPress/