Kryesia e Partisë Unioni Kristiandemokrat (CDU) e Angela Merkel u mblodh për katër orë dje në Berlin dhe pranoi njëzëri të mbështesë një koalicion të madh me Partinë Siocialdemokrate (SPD) për të thyer krizën politike në vend.
Deputetët u mblodhën në përpjekie për të gjetur një mënyrë për të përparuar pas bisedimeve eksploruese për një koalicion “Xhamajka” me të Gjelbrit dhe partinë pro sipërmarrjeve, Demokratët e Lirë (FDP) që dështuan javën e kaluar.
Dështimi i bisedimeve fundjavën e kaluar rriti presionin mbi SPD-në që t’i bashkohet CDU-së dhe partisë simotër bavareze, Unionit Kristiansocial (CSU), në një koalicion të madh.
Lideri i SPD-së, Martin Schulz fillimisht e përjashtoi mundësinë e një koalicioni të ri, që do të ishte koalicioni i trete CDU-CSU-SPD nën drejtimin e Merkel, pasi partia morri një mbështetje në nivelet më të ulëta në zgjedhjet e 24 shtatorit, por ditët e fundit e ka moderuar qëndrimin e tij.