Aktuale

KQZ vendos që të fillojë numërimi i votave me kusht dhe rinumërimi për Prishtinën dhe Prizrenin

Komisioni qendror i zgjedhjeve ka marrë vendim që të fillojë numërimi i votave me kusht sot në orën 14:00, për komunat të cilat nuk do të shkojnë në rinumërim.

Pas numërimit të këtyre votave, KQZ ka vendosur që të fillojë edhe rinumërimi për komunat për të cilat mori vendim PZAP që janë Prishtina, Prizreni, 35 vendvotime në Dragash dhe rinumërimn e tre vendvotimeve në Rahovec.

Por kundër vendimit të KQZ-së ishte anëtari i këtij komisioni nga radhët e VV-së Adnan Rrustemi, i cili kërkonte që KQZ të mos marrë vendim për rinumërim, pa kaluar 24 orë nga vendimi i PZAP-së, pasi që sipas tij ky vendim ende nuk është i plotfuqishëm.

Rrustemi vendimin e PZAP-së e quajti politik e të orkestruar, çështje kjo që ngjalli debat të ashpër në mes të anëtarëve të KQZ-së. Rrustemi kërkoi që të vazhdoj numërimi i votave me kusht sipas planit dhe KQZ-ja ta presë përfundimin e afatit të ankesave për vendimin e PZAP-së dhe vendimin e Gjykatës supreme.

“Një vendim i PZAP, që për bindjen time është skandaloz. Është definitivisht vendim politik. S’ka asnjë bazë as juridike, as në proces zgjedhor. Është për mua një vendim që synon padyshim suspendimin e vullnetit të votuesve. Suspendimin e zgjedhjeve. Është absurd për nga përmbajtja po ta shohësh…Nuk ka pasur asnjë vërejtje dhe as një shqetësim gjatë ditës së zgjedhjeve nga asnjë komisioner i të gjitha partive politike. Nuk ka pasur asnjë vërejtje nga komisionerët e partive politike në ditën e votimit. Madje është absurd po ta shohësh edhe kur bëhet fjalë rinumërimin e votave, me post dhe me kusht. Po kërkon rinumërimin e diçkafit që nuk u numërua ende. Ne e dimë se nuk i kemi numëruar as votat me kusht as votat me post. Si ka mundësi me urdhëru KQZ-në me bë rinumërim të diçka që ne nuk e kemi numëru ”, tha ai.

Anëtari i KQZ-së nga PDK Betim Gjoshi, tha se askush nuk duhet që t’i frikësohet transparencës

“Nuk kemi askush që t’i frikohemi transparencës dhe ligjshmërisë… Ne nuk mund të punojmë me emocione ditë pas dite e nuk mund të dirigjojmë agjendën”, tha ai.

Ndërsa Sami Hamiti nga LDK kërkoi që mos të krijohen tensione.

“Të mos bëjmë tensione. Në këtë anë ajo është transparencë,. Qysh e konsideron dikush politike një çështje e cila shkon me transparencë prej ditës së parë i kemi ftuar kamerat dhe mediat atje dhe të ketë numrin e vëzhguesve. Të vërtetohet të legjitimohet më mirë. Të dy komunat kanë numër të madh të votuesve e diferencat janë të vogla. Shumë më mirë është dhe për subjektin VV. Pse po prejudikohet këtu le të legjitimohet diçka”, tha ai.

E kryetarja e KQZ-së Valdete Daka, nuk e pati aspak të lehtë ta udhëheqë këtë mbledhje, ku në rend dite priste ta fuste edhe vendimin e PZAP-së që Prishtina dhe Prizreni të shkojë në rinumërim.

“Të mos e diskutojmë vendimin të lutem. Argumentet i shkruani në ankesë. S’ka nevojë me bë presion në askënd. E bëni ankesën iu lutem”, tha ajo.

Por Rrustemi këmbëngulte në kërkesat e tij, duke pohuar se ky është një vendim i paprecedent.

“Ky është vendim i paprecendent. Nuk është çështja kryetare me ia nënshtru këtë vendim votës. nëse profesionalisht e trajtojmë. Për mua një vendim i KQZ-së sot për me fillu rinumërimi,. Për sa kohë është afati i ankesave dhe do të ketë ankesë, është presion i drejtpërdrejtë mbi Gjykatën Supreme se vendimi yt është i papërfillshëm se tashmë ne po vazhdojmë] punën”, tha ai.

Por për Ilir Gashin nga PDK, kjo gjë nuk është aspak tragjike.

“Nuk është tragjike kjo punë. Se askush s’mund ta ndryshojë vullnetin e qytetarëve, por vetëm ri-konfirmohet ajo mbi të cilën kanë votuar. Nuk shoh asgjë t keqe në këtë drejtim”, tha ai. /KP