Kryeparlamentari Kadri Veseli ka pritur sot në takim përfaqësuesit e delegatëve, të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, e për të cilët Qeveria e Kosovës ditë më parë ndau 300 mijë euro në mbështetje të tyre.
Përfaqësuesi i delegatëve të 1990, Ilaz Ramajli falënderoi Veselin dhe Qeverinë e Kosovës për mbështetjen. Ndërsa tha se kjo më shumë se përkrahje financiare, është përkrahje morale.
Ramajli: Kjo përkrahje është satisfakison moral
“Duke iu falënderuar angazhimit tuaj personal nga viti i kaluar deri sot dhe natyrisht të gjitha grupeve parlamentare të Qeverisë ne sot kemi kënaqësinë që të konstatojmë që delegatët e përbërjes së vitit 1990, gëzojnë një mbështetje materiale dhe do ta gëzojnë dhe në viteve të ardhshme. Sa për informimin tuaj dhe të opinionit nga 111 delegat, të cilët kanë marrë pjesë në nxjerrjen e deklaratës kushtetuese, Kushtetutës së Kaçanikut dhe akteve tjera deri më 24 maj 1992, 77 janë ende gjallë, 34 kanë vdekur. Nga këta 77, 65 janë mbi moshën 60 vjeçare. Kjo përkrahje materiale që organet shtetërore të Kosovës po na japin, përveç materialisht një numër të madh të tyre ia përmirësojmë gjendjen materiale por është dhe satisfaksion moral për punën që kemi bërë në një periudhë të caktuar të historisë”, tha ai.
E kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i falënderoi delegatët e vitit 1990 për punën historike që kanë bërë. Ndërsa u tha se përkrahja materiale do të jetë e përhershme.
Veseli: Do të jetë përkrahje e përhershme
“Nuk ka kompensim material, i cili mund të ia rikthej meritokracinë dhe respektin. Është një çështje e mirënjohjes më tepër institucionale… Kemi pasur përkrahjen e plotë, ka pasur përkrahjen e plotë nga Qeveria e Kosovës dhe mund të them duke pasur parasysh këtë konsensus, ne kemi arritur për 2017 të përfundojmë obligimin tonë, por kjo do të jetë e përhershme, në kuptimin e këtij vendimi që ne kemi marrë tani. Dëshiroj të kumtoj dhe si lajm për gjithë koleget deputet të vitit 1990 se do të jetë një beneficion material, i cili do të jetë i përhershëm. Do të vazhdoj në buxhetin e 2018 dhe jam i sigurt se do të vazhdojë në çdo buxhet që Republika e Kosovës do të adaptoj”, tha ai.
Përndryshe, buxheti i ndarë për 111 delegatët dhe familjet e tyre, i bie që secili të marrë nga 2.700 euro





















