Aktuale

Pa fuqizim të gruas nuk ka zhvillim ekonomik

Me qëllim të menaxhimit më të mirë të buxhetit familjar dhe fuqizimit të grave, mes tjerash, Qeveria do duhej që ta rriste shumën e asistencës sociale për familjet të cilat kryesohen nga gratë, pasi që vetëm 32 përqind e bartësve të ndihmave sociale janë gra.

Kështu ka rekomanduar Instituti për Studime të Avancuara (GAP) me rastin e prezantimit të studimit “Dallimet në menaxhimin e buxhetit familjar ndërmjet grave dhe burrave”.

Blendi Hasaj nga Instituti GAP tha se ky Institut ka analizuar në mënyrë kuantitative dallimet në mes të grave dhe burrave kryefamiljarë në shpenzimin e buxhetit familjar.

Ai theksoi se sa i përket shpërndarjes së bartësve nëpër kategori, vetëm 8 përqind të bartësve të asistencës sociale janë gra, përderisa tha se sipas gjetjeve të studimit, burri si kryefamiljar shpenzon më pak në kategoritë që promovojnë mirëqenien e familjes.

“Në Kosovë aktualisht janë mbi 26,000 mijë familje të cilat marrin ndihmë sociale, që përbëjnë afro 10 përqind të të gjithë familjeve në Kosovë. Vetëm 32 përqind e bartësve të ndihmave sociale janë gra ndërsa 68 përqind janë burra. Të qenit burrë kryefamiljar rrit gjasat që të shpenzohet më shumë për duhan dhe konsum krahasuar me rastet e kryefamiljareve gra që shpenzojnë më shumë në shëndet dhe kategori që e promovojnë mirëqenien e familjes. Duke e marrë parasysh këtë, Qeveria duhet të rrisë ndihmat sociale për kryefamiljaret gra”, tha ai.

Anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Naser Rugova ka përgëzuar institutin GAP që në mënyrë periodike bënë anketimin e buxhetit, përderisa tha se analizat e prezantuara sot do të futen në pakon legjislative për skemat sociale në Kosovë. Madje duke vlerësuar punën e GAP-it, Rugova rekomandoi këtë institut që të hulumtojnë edhe përdorimin e substancave narkotike tek të rinjtë në Kosovë, në mënyrë që të ndermirrën masa në këtë drejtim.

Ndërkaq Venera Denukaj, ligjëruese në RIT KosovoTM (A.U.K), theksoi se gratë vazhdojnë të jenë ekonomikisht të varura nga burrat edhe pse ato shpenzojnë më mençur. Sipas saj, nuk ka zhvillim ekonomik nëse nuk fuqizohet pozita e gruas në shoqëri.

“Kjo bënë që gratë të jenë më të varfra se burrat dhe kanë standard më të ulët të jetesës krahasuar me burrat… Nuk mund të kemi rritje të qëndrueshme ekonomike nëse gratë nuk fuqizohen në shoqëri”, theksoi ajo. /KP/