Aktuale

Hardinaj: Rangimi në raportin e BB-së, lajm i mirë për Kosovën

Kosova është radhitur në mesin e 10 ekonomive të mbarë botës, që ka pasur përmirësimin më të madh në reformat e të bërit biznes, sipas raportit të Të Bërit Biznes 2018, të publikuar sot nga Grupi i Bankës Botërore.

Për herë të parë, këtë vit Kosova radhitet  në pozitën e 40-të,  nga 190 vende sa i përket lehtësisë së të bërit biznes, krahasuar me vendin e 60-të  ku ka qenë vitin e kaluar. Po ashtu, Kosova radhitet e 10-ta në krijimin e një biznesi, e 12-ta në marrjen e kredisë, e 48-ta në tregtinë ndërkufitare, e 122-ta në trajtimin e lejeve të ndërtimit, e 89-ta në mbrojtjen e investitorëve nga pakicat, e 106-ta në furnizimin me energji elektrike, e 49-ta në zbatimin e kontratave, e 45-ta në pagesën e tatimeve, e 34-ta në regjistrimin e pronës dhe e 49-ta në zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës.

Këtë rangim e ka quajtur lajm të mirë për Kosovën, kreu i Qeverisë, Ramush Haradinaj, i cili tha se kjo punë e mirë është bërë ne radhë të parë nga Task Forca e të bërit biznes në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

 

“Është lajm i mirë për Kosovën, Kosova ka shënuar progres në të bërit biznes, pra është ngritur në rangim në bazë të studimit të Bankës Botërore dhe në bazë të të dhënave që dalin nga ky studim. Kjo punë e mirë është punë në radhë të parë duhet të themi e Task Forcës së të bërit biznes në MTI, por njëkohësisht për një rezultat të tillë të mirë kemi marrë ndihmën, përkrahjen e vazhdueshme ekspertizën edhe të Bankës Botërore në marrëdhënien me Bankën Botërore. Njëkohësisht përkrahjen nga USAID-i, që ka qenë në vazhdimësi përkrahës në një projekt që quhet partneritet për zhvillim”, tha kryeministri Haradinaj.

Lajm të mirë e quajti edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i cili tha se kanë proceduar Ligjin për shoqëritë tregtare, ku pas miratimit, tha se presin një rangim edhe më të mirë të Kosovës në hapjen e bizneseve.

 

“Sot është një lajm i mirë për Kosovën. Ky raport që është publikuar, sepse deri sot kemi qenë të renditur në vendin e 61-të, sot jemi sipas raportit të Bankës Botërore në vendin e 40-të në përgjithësi, kurse në hapjen ose procedurën e hapjes së bizneseve jemi në vendin e 10-të. Që presim ne si Ministri e Tregtisë, kemi proceduar Ligjin për shoqëritë tregtare, do të thotë e kemi kaluar në qeveri, pas miratimit në Kuvend mendojmë që vitin tjetër do të kemi edhe rangim më të mirë edhe në hapjen e bizneseve. Natyrisht ne si Ministri e Tregtisë dhe Industrisë jemi bartës të Task Forcës, të cilën janë të përfshirë edhe disa ministri, por së bashku me kryeministrin dhe zotimet që janë bërë, ne do të bëjmë koordinim të plotë që sa më shumë të punojmë në drejtimin e të bërit biznes”, tha ai.

Hasani tha se ky raport mundëson që të shihet më ndryshe Kosovë edhe për investime nga jashtë.

Kurse, drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli tha se Kosova ja ka dal të njihet në mesin e reformuesve më të mirë duke u futur në 10-të ekonomitë, të cilat kanë reformuar tri aspektet e të të bërit biznes.

 

“Kosova ja ka dal që të njihet në mesin e reformuesve më të mirë, sepse është futur në 10 ekonomitë të cilët kanë reformuar tri aspektet indikatorëve të të bërit biznes dhe këto janë të gjitha më të mirat, dhe reformat të cilat e kanë shtyrë këtë përparim kanë të bëjnë me fillimin e bizneseve, marrjes së kredive, zgjidhjen e aftësisë paguese dhe fillimin e biznesit Kosova ka pasur procesin e punonjësve. Sa i përket qasjes në kredi, e kanë bërë duke miratuar ligjet e reja dhe ka krijuar prioritete për falimentim, dhe sigurimin dhe sa i përket aftësisë paguese ka prezantuar kornizën ligjore për korporatat dhe aftësi paguese. Dhe kjo masë është njohur dhe pranuar në raportin e të bërit biznes. Kjo është një punë e mirë që është bërë dhe kjo nuk i ka mbuluar të gjitha aspektet, të cilat ndikojnë tek bizneset është e rëndësishme që ta theksojmë këtë dhe kjo fokusohet në aspektin rregullator”, tha ai .

Mantovanelli tha se janë të interesuar që të punojnë edhe në reformën e regjimit inspektues, ku ai tha se është një fushë që Kosova ka një numër më të madh të inspektimeve dhe tha se mendon që mund të fitojnë shumë duke bërë inspektime në mënyrë efektive.

Ndërkaq, Udhëheqësi i zyrës së USAID-it në Kosovë, James Hope tha se lëvizja përpjetë 20 vende në të bërit biznes është një arritje e madhe dhe reflekton punën e madhe të Qeverisë gjatë pesë viteve të fundit.

 

“Lëvizja përpjetë 20 vende në të bërit biznes është një arritje e madhe dhe reflekton punën e madhe të Qeverisë gjatë pesë viteve të fundit, pra për të arritur në këtë nivel që është tash. Ajo çka kjo na tregon është se Kosova është në rrugën e mbarë dhe se ne do të vazhdojmë në USAID, dhe me partnerët e tjerë tanë të qeverisë amerikane që të punojmë me qeverinë dhe me sektorin privat në mënyrë që ta lirojmë potencialin ekonomik të bizneseve të Kosovës, dhe ndërmarrësve të Kosovës. Në mënyrë që ata të mund të veprojnë në një ambient, i cili është i përshtatshëm për zhvillimin ekonomik të shtyrë nga sektori privat. Çdo ditë që unë kaloj në Kosovë e shoh, kurdo që takohem me bizneset të reja shoh se të gjithë ata dëshirojnë që të shohin një ambient, i cili do t’iu mundësojë bizneseve të tyre që të zhvillohen dhe të dalin në tregje të reja”, tha ai.

Ai tha se kjo nuk ka të bëjë thjeshtë me numra, por sipas tij kjo ka të bëjë edhe me përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë për ta përmirësuar jetën dhe standardeve të jetës së qytetarëve. Por, ai tha se ka të bëjë edhe me efektshmërinë e reformave që janë ndërmarrë për të krijuar më shumë transparencë, llogaridhënie dhe qeverisje më të përgjegjshme.

Çdo vit, raporti i Të Bërit Biznes në 190 ekonomi, mat aspekte të rregulloreve të biznesit që janë me rëndësi për sipërmarrësit, duke u fokusuar në dhjetë fusha: krijimin e një biznesi, trajtimin e lejeve të ndërtimit, furnizimin me energji elektrike, regjistrimin e pronave, marrjen e kredisë, mbrojtjen e investitorëve të pakicave, pagesën e taksave, tregtinë ndërkufitare, zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës.

Nëntë ekonomitë e tjera që kanë treguar përmirësimet më të mëdha në Të Bërit Biznes 2018 janë Brunei Darussalam, Tajlanda, Malavi, India, Uzbekistani, Zambia, Nigeria, Xhibuti dhe El Salvadori. Rajonet me përqindjen më të madhe të ekonomive reformuese në Të Bërit Biznes 2018 janë Evropa dhe Azia Qendrore, Azia Jugore dhe Afrika Sub-Sahariane./M.Duraku/