Peja është një kryeqytet ekonomik, por jo edhe afarist me gjendjen aktuale qeverisëse në të cilën gjendet ky qytet.
Për këtë duhet ndryshim dhe me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës do të ketë zhvillim ekonomik, rritje të punësimit prej 5 mijë vendeve të punës, rritje të buxhetit për secilën fushë, e veçanërisht për bujqësi.
Kështu ka deklaruar kryeministri njëherësh kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj në tubimin elektoral me qytetarë në Lagjen “Haxhi Zeka” në Pejë, i cili ripërsëriti se do të ketë rritje të pagave prej 5 përqind në sektorin publik, ndërsa deri në fund të mandatit të tij mbi 10 përqind.
Kryeministri Haradinaj tha se populli është në kohën dhe momentin që t;i përfundojë punët e nisura për të krijuar një bazament për jetën dhe fëmijët tanë.Në vitin që vjen ai premtoi se auto rruga prej Klinës deri në Gjakovë nisë dhe përfundon vitin që vjen. Dhe po ashtu sipas Haradinajt autostrada tjetër Istog, Pejë, Deçan, Gjakovë, Prizren do të nisë së ndërtuar në vitin 2019. Ndër premtimet tjera të Haradinajt është edhe investimi në infrastrukturën e lumenjve.Haradinaj shprehu bindjen e tij të plotë se me besimin dhe votën e qytetarëve të Pejës Fatmir Gashi do të jetë kryetar i Pejës më 22 tetor.
“Takimi ynë i sotëm këtu, është për me nënshkruar një kontratë që me i përmbyllur do punë që kanë mbetur mangu në Pejë e në Dukagjin. Me i realizuar do të drejta që u kanë mohuar kësaj treve me kohë të gjatë. Njëkohësisht me i përmbushur interesat, kërkesat shume legjitime të qytetarëve të Pejës dhe të kësaj treve. Falë mundit dhe besimit e sakrificës nuk ka qenë çdo herë lehtë për ju që jeni në aleancë që ka rezultuar me një fitore në qeverinë e vendit të cilën e udhëheqë në këtë rast unë. Kjo është një fitore e juaja, por tani është një mundësi me punuar prej kësaj fitoreje direkt me sjell suksesin këtu( në Dukagjin). Ju keni dëgjuar projektet e mia që i kam lajmëruar në qeverisjen nacionale. Auto-rruga e Dukagjinit prej Kijevës tani dhe në Zahaq bëhet vitin që vjen… Me pranverë fillojnë punimet, në dimrin që vjen bora e parë me ra mbi rrugë të kryer”, theksoi Haradinaj.
Kandidati për kryetar të komunës Fatmir Gashi tha se sot është këtu që ta shpalos programin qeverisës katërvjeçar për ndryshimin e Pejës, sepse është degraduar, sipas tij, veçanërisht që nga viti 2013.Gashi ka shtuar se me AAK brenda një mandati do të arrijnë t’i punësojnë 5 mijë qytetarë të Pejës, prej tyre 2500 në Zonën Industriale që do të ndërtohet në këtë qytet. Ai tha se për të rinjtë e Pejës do të ndahen edhe nga 500 grante nga 5 mijë euro. Këto grante ai tha se janë për të gjitha ata që kanë ide dhe plane biznesore.
“Ne juve ju garantojmë që në qeverisjen tonë do të shkojmë nga zhvillimi i Pejës, për arsye se Peja shquhet si qytet i ndërmarrësve më të zot dhe shumë të fuqishëm, zejtarëve shumë të fort, mirëpo të gjitha këta në këto katër vjet të fundit janë harruar pa asnjë konsultim dhe diskutim me ta për të ecur përpara me zhvillim. Ne kemi paraparë që në Pejë për këto katër vjet të punësojmë pesë mijë njerëz. Kur e themi këtë 5 mijë vetë, ne e dokumentojmë, duke zhvilluar industrinë dhe ndërtuar një zonë ekonomike apo një zonë industriale”, theksoi Gashi.
Kandidati i AAK-së tha se do ta fuqizojnë ndërmarrjen komunale për mirëmbajtje dhe pastrimin e qytetit, ku do të punësohen në këtë ndërmarrje edhe 200 punëtorë. Për kulturën në Pejë, i cili tha se është pjesa më e shndritshme e këtij qyteti, ku sipas Gashit, Teatri “Istref Begolli” do të rinovohet dhe do të jetë ambient adekuatë. Po ashtu Gashi premtoi se do të përkrahen edhe bujqit me anë të granteve për stimulim./KosovaPress/