Rajon & Botë

Shpërthimet në metro, Trump i jep mbështetje kryeministres britanike në luftën kundër terrorizmit

Metroja e Londrës u trondit mëngjesin e djeshëm nga një shpërthim, që policia e cilësoi sulm terrorist. Shpërthimi ndodhi gjatë orëve të mëngjesit, të ngarkuara me trafik Punonjësit e shpëtimit thanë se asnjëri prej 22 personave të lënduar nuk kishin marrë plagë të rënda.

Policia shkoi me nxitim tek stacioni nën tokë i metrosë, që anglezët i referohen si “the tube”, në Parsons Green për të zhvilluar hetimet e nevojshme. E gjithë zona është rrethuar me kordon sigurie.

Mark Rowley, zëvendës komisioneri i Policisë Metropolitane të Londrës u tha gazetarëve se “shpërthimi duket se ka qenë i qëllimshëm dhe se pas disa hetimeve doli se ai ishte shkaktuar nga një pajisje shpërthyese e improvizuar”.

Pamjet e publikuara në mediat sociale tregojnë një kovë që kishte marrë zjarr, e cila ishte vendosur brenda në një qese plastike pranë derës së njërit prej vagonave të trenit.

Kryeministrja britanike Theresa May e cilësoi sulmin “një akt prej frikacakësh” dhe u bëri thirrje banorëve të Londrës që të vazhdojnë jetën e tyre të përditshme normalisht, megjithëse niveli i kërcënimit mbetet i lartë.”

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antionio Guterres bëri një deklaratë, ku e dënonte sulmin dhe u uronte personave të plagosur shërim të shpejtë. “Kombet e Bashkuara janë në solidaritet me popullin dhe qeverinë e Britanisë së Madhe”, thonte në deklaratë zoti Guterres.