Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se janë të përkushtuar për të punuar, në mënyrë që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës të ndodhë sa më parë që të jetë e mundur.
Ai gjatë një takimi me kryeministrin Ramush Haradinaj shprehu besimin se do ta kenë mbështetjen e shoqërisë civile, mediave dhe qytetarëve.
Sipas tij, në këtë duhet të kyçet dhe opozita, në mënyrë që të lëvizet përpara, ndërsa tha se Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera me Malin e Zi.
“Ne duhet të gjitha energjitë, tash t’i fokusojmë në angazhimet e përbashkëta, që Kuvendi i Kosovës të gjitha çështjeve madhore t’u japë përgjigjen e duhur, në kohen e duhur. Andaj më e rëndësishme është fokusimi i kryeministrit Haradinajt dhe Veseli që të koordinohemi se si të lëvizim më shpejt, drejt një përgjigje adekuate, të saktë, të qartë, të pranueshme prej popullit të Kosovës, dhe të vlerësuar prej BE. Në anën tjetër sa i përket raporteve me Malin e Zi, raporti i shtetit të Kosovës me Malin e Zi është raport strategjik, i një bashkëpunimi strategjik i fqinjësisë së mirë dhe orientimit euroatlantik”, tha Thaçi.
Ndërkaq kryeministri Haradinaj foli për dialogun me Serbinë, për të cilin tha se është i pa alternativë.
“Dialogun e kam deklaruar të pa alternativë, sepse jemi fqinjë edhe pse historia është tragjike. Ajo që dëshiroj me ndodh në të ardhmen është dhe një diskutim i brendshëm në Kosovë për dialogun. Një diskutim në shoqëri, parlament, i vërtetë dhe kur vjen epilogu i këtij dialogu, referendumi dhe të arriturat e këtij dialogu, të jem të gjithë ne. Jo vetëm të njërit nga ne, ose veç elitës politike. Kjo mendoj se është diçka që të gjithë e pëlqejmë në Kosovë. Është shumë në rregull për mua që presidenti dhe një ekip rreth tij me u përball me sfidat që e presin Kosovën. Është detyrë kushtetues e përfaqësimi i vendit për presidentin e vendit”, tha Haradinaj. /kp/