Aktuale

Jan Axel-Voss: Presim që qeveria e re të sjellë reforma

Aplikimi i Kosovës në BE nuk ka të bëjë vetëm me dokumente, por edhe me ligjet dhe rregullat që ka BE dhe se këto duhet të zbatohen në praktikë.

Kështu u tha me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Integrimit Evropian dhe Ambasadës Gjermane “Mbështetja për Procesin e Integrimit Evropian në Kosovë – Faza III (2017 – 2020)”.

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxhaj ka falënderuar shtetin gjerman për ndihmën e vazhdueshme për ndërtimin e shtetit të Kosovës.

“Kosova është e nderuar që ka Gjermaninë përkrah integrimeve evropiane. Ne shohim një bashkëpunim të vazhdueshëm me Gjermaninë. Proceset e zhvillimit ekonomik dhe reformat ligjore e shtetërore që kërkojnë nga SHBA, projekti në fillim është lansuar në 2012, vit kritik ky kur të gjitha kanë qenë duke punuar fort. Bashkëpunimi me këtë projekt ka qenë shumë i rëndësishëm në rrugën e integrimeve evropiane. Ky projekt ka ofruar mbështetje në të gjitha institucionet tona si ata qendror, por edhe në ata lokal. Pjesë e rëndësishme ka qenë ndërtimi i kapaciteteve duke i dhënë ndihmë Kuvendit në procesin e ligjeve për integrimeve evropiane” ka thënë ministrja Hoxha.

Ndërsa, zëvendës ambasadori gjerman, Jan Axel-Voss ka thënë se Kosova është në Evropë.

“Kosova ka qenë gjithmonë në Evropë. Evropa i takon të gjithëve dhe jam i lumtur që Kosova është duke u përmirësuar. Kosova e ka negociuar mirë MSA si marrëveshjen e parë me BE-në dhe me këtë janë vënë marrëdhëniet kontraktuale politike. Tash BE e di se çka ka premtuar Kosova bën dhe do të bëjë në të ardhmen. Aplikimi i Kosovës për ne BE nuk ka të bëjë vetëm me dokumente, por edhe me ligjet dhe rregullat që ka BE dhe këto të zbatohen në praktikë”, ka thënë Voss.

Ai ka thënë së Kuvendi duhet t’i kontrollojë ligjet, në mënyrë që të ketë një përparim drejt integrimit evropian.

“Presim që qeveria e re të sjellë reforma dhe t’i zbatojë hapat që e bien Kosovës më afër Bashkimit Evropian. Është vetëm që të përcaktohet një ekonomi e lirë e tregut e duke besuar në brezin e ri, të cilët kanë nevojë për perspektivë kuptimplote këtu. Qeveria e Kosovës duhet të përqafojë integrimin e BE-s, andaj puna e tyre duhet të shqyrtohet me kujdes nga Kuvendi i ri. Gjermania përkrah çdo qeveri të zgjedhur në mënyrë demokratikë. Do t’i ndihmojmë me financa dhe me anë të tjera teknike”, ka thënë zëvendës ambasadori gjerman.

Ndërsa, Ismet Krasniqi, sekretar i përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se kjo marrëveshje është vazhdim i punës së Kuvendit me GIZ-in dhe partnerët e tjerë. Ai ka thënë se me shumë përkrahje integrimi evropian do ecë edhe më shpejt./kp