Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell, të cilët theksuan nevojën e forcimit të institucioneve demokratike, rritjen e mirëqenies së qytetarëve, thellimin e reformave në vend dhe konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës.
Kryeministri Haradinaj dhe ambasadori O’Connell biseduan për ndërtimin e institucioneve të reja në Kosovë dhe për proceset nëpër të cilat po kalon vendi.
Sipas një komunikate të Qeverisë, kryeministri Haradinaj e vlerësoi lart mbështetjen që Britania e Madhe i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e shtet ndërtimit dhe njëkohësisht edhe përkrahjen për vendin në skenën ndërkombëtare.
Ambasadori O’Connell duke e përgëzuar kryeministrin Haradinaj për detyrën tha se Kosova do të ketë mbështetjen e vendit të tij në agjendat e saj dhe rrugën e integrimeve euro-atlantike./KosovaPress/





















