Aktuale

Kryesia e Kuvendit do të vendos për seancën e ardhshme

Mos prezenca e kabinetit qeveritar dhe deputetëve të PANA-s, ka bërë që opozita të kërkoi ndërprerjen e seancës së jashtëzakonshme, e thirrur për të diskutuar për programin qeverisës të Qeverisë së udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca ka kritikuar ashpër mos pranin e kabinetit qeverisës, duke thënë se ky është shembulli që po e japin në ditën e parë të punës, duke mos qenë të pranishëm në Kuvendin e Kosovë.

Konjufca kërkoi që seanca të mbahet pas dy ditëve dhe Qeveria të jetë e pranishme në Kuvend që ta mbroj atë me të cilën janë paraqitur para qytetarëve.

“Ne do të kërkojmë që kjo seancë e jashtëzakonshme në të cilën nuk po shfaqet Qeveria e Kosovës të vazhdoj, do të ishte mirë që pas dy ditës të vazhdonte kjo që Qeveria të shfaqej dhe që ta mbronin atë me të cilin janë prezantuar par popullit të Kosovës, çka do të bëjnë për arsimin, për shëndetësinë, si do t’i qasen ekonomisë, çfarë reforma parashihen në drejtësi, të gjitha këto t’i mbrojnë këtu ku është vendi, e vendi është Kuvendi i Kosovës, aty ku Qeveria duhet të jetë e pranishme dhe t’i mbroj idetë dhe konceptet e veta”, tha Konjufca.

Edhe shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti kërkoi nga kryetari i Kuvendit që seanca të mbahet të martën në orën 10:00.

“Unë kërkoi që Qeveria e Kosovës tanimë e votuar në Kuvendin e Kosovës të paraqitet para deputetëve sepse është obligim kushtetues. Unë kërkoj nga sekretaria e Kuvendit që të shtoni karriget për t’i akomoduar gjithë ministrat që keni 26, 27 apo 30 sa i keni, se as vet se dini sa i keni dhe kjo seancë të vazhdoj të martën në orën 10:00, me diskutimet e deputetëve”, theksoi Hoti.

Por kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se nuk ka kuorum për vendimmarrje për ta shtyrë seancën për tjetër ditë. Prandaj, Veseli mbylli seancën e sotme, derisa kryesia do të mblidhet për të caktuar seancën tjetër.

“Unë nuk mund ta shtyj, as ju nuk mund ta shtyni, kështu që e përfundojmë sot këtë debat, ju keni mundës tjera që i dini, edhe ashtu po ma interpretoni rregulloren… e ndërprejmë për sot seancën”, theksoi Veseli.

Në seancën e jashtëzakonshme të thirrur për sot, Albin Kurti e Avdullah Hoti akuzuan Qeverinë e udhëhequr nga Haradinaj, se është bërë me bekimin e Beogradit. /kp