Aktuale

Deputetët: PAN po i vazhdon pazaret e ulëta për formimin e Qeverisë

Në mungesë të deputetëve të koalicionit PAN, seanca për konstituimin e Kuvendit, është shtyrë për në orën 14:00. Deputetët e pranishme në seancë thanë se mungesa e PAN-it është lojë e këtij koalicioni, i cili sipas tyre, ende po i vazhdon pazaret për formimin e Qeverisë.

Shefi i Grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, tha se është fatkeqësi për vendin, që për shkak të pazareve të ulëta, nuk po konsolidohen institucionet e vendit.

“U bë ora 11.30 ata nuk paraqiten në seancë. Është fatkeqe për vendin që për shkak të pazareve të ulëta, të cilat nuk po mund të konsolidohen përfundimisht për të ardhur në seancë. Duhet të shtyhet dhe më tutje seanca konstituive e Kuvendit. Ne do të paraqitemi prapë në orën 14.00 pasdite në seancë, me shpresë se do të konstituohet Kuvendi dhe do të themelohen institucionet e vendit. Kjo është një ditë fatkeqe për qytetarët e vendit. Duke qenë se është arritur një koalicion me pazare të ulëta, me kontrabandim të deputetëve. Dhe ajo që është më fatkeqe për vendin, është që është arritur ky koalicion me dakordimin e Beogradit. Asgjë parimore dhe marrëveshje politike këtu nuk ka. Ka vetëm pazare për poste, projekte të ndryshme, për gjëra të ulëta”, tha Hoti.

Edhe deputetja e VV-së Albulena Haxhiu tha se është shqetësues fakti që për interesa personale po vazhdojnë pazaret me institucionet e Kosovës.

“Siç duket, ajo dreka e 3 gushtit e Enver Hoxhajt ka mbetur ende pa u ngrënë dhe ata ende nuk kanë arritur të përfundojnë pazaret e tyre. Është e qartë, se ata po bëjnë pazare me këtë vend. Ata po bëjnë pazare me postet e kabinetit qeveritar dhe natyrisht që janë përgjegjësit kryesor se pse sot vendi ende nuk ka konstituuar institucionet e Republikës së Kosovës. Kundërshtojmë fuqishëm këtë qasje të koalicionit PAN. Dhe është sinqerisht shqetësues fakti që këta njerëz për interesa të veta personale, private familjare, klienteliste po vazhdojnë të bëjnë pazare me institucionet e Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu.

Ajo përsëriti qëndrimin e VV-së se do të votojnë kundër Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit.

“Ne do të marrim pjesë në votim duke kundërshtuar Kadri Veselin si kryetar Kuvendi. Sepse ne besojmë që kryetar i Kuvendit duhet të jetë një njeri që përfaqëson unitet. Kadri Veseli përveç të kaluarës së tij kriminale nuk përfaqëson unitet. Këtë e ka dëshmuar në mandatin e kaluar. Ka qenë një figurë përçarëse, nxitëse, ka kërcënuar deputetët, ka fyer deputetët ai njeri nuk duhet të jetë kryetar kuvendi”, tha Haxhiu.

Edhe Mimoza Kusari-Lila nga Alternativa tha se përsëritja e skenarit të mos paraqitjes të deputetëve të PAN-it në seancë, tregon mungesë të seriozitetit dhe respektit për shtetin dhe qytetarët e Kosovës.

“Nëse arrihen marrëveshjet në gjysmë të natës. Nëse prezantohen pazaret në gjysmë të natës. Nëse në gjysmë të natës thirret seanca dhe kërkohet me dëshirën dhe vendimin e tyre, që të jemi në ora 11 këtu dhe të gjithë jemi këtu që e duam shtetin e Kosovës, që duam të funksionojë demokracia në Kosovë dhe ata nuk paraqiten, nuk e di ndoshta duhet të thërrasin seancë në gjysmë të natës, ndoshta paraqiten. Ajo çfarë është karakterizuar gjatë gjithë fushatës dhe çka është prezantuar dhe pas fushatës, mungesa e vizionit për shtetin e Kosovës lidhja e një koalicioni pa asnjë vlerë programore qeverisëse morali e etike po përsëritet në mos seriozitet të gjithë deputetëve të koalicionit PAN, ose shumicës së tyre ose mosparaqitjes në seancë. Duket se krejt çka është me rëndësi janë pazaret dhe ndarja e pushtetit dhe në asnjë moment funksionimi i shtetit”, tha Kusari-Lila.

Por, se çfarë po ndodh me mos paraqitjen e deputetëve të PAN-it në seancë, nuk ishin në dijeni as deputetët e AKR-së, të cilët së fundi kanë bërë marrëveshje me PAN-in.

Deputeti Labinot Tahiri tha se nuk e di arsyen pse PAN-i nuk është prezent në seancë.

“Nuk e di çka po ndodh. Unë jam anëtar i AKR-së, nënkryetar i saj. Unë me Behgjet Pacollin dhe të tjerë jemi këtu. I kemi prit. Behgjet Pacolli nuk i takon lojërave politike, por u vërtetua për të tretën herë në këtë parlament, po bën zhbllokimin për të formuar institucionet e vendit. Dhe për këtë e admiroj shumë. Këto lojëra çfarë bëhen apo çfarë ndodhin me Listën Serbe a me të tjetër, fare nuk më interesojnë. E rëndësishme është që populli ta kuptojë se kush po luan me këtë parlament të popullatës. Ne jemi në koalicion, por s’mund t’i komandojë ata”, tha Tahiri.

I pyetur rreth dorëheqjes së deputetit Korab Sejdiu nga AKR, Tahiri tha se Sejdiu është ende në partinë e tij.

“Unë mendoj së Korabi është në partinë tonë. Në momentet të menjëhershme për askënd nuk janë të duhura, sepse po të doja unë dhe më 3 gusht, do ta kisha formuar qeverinë në atë kohë. Por i qëndrova besnik partisë dhe Behgjet Pacolli dhe tash jemi së bashku këtu. Unë mendoj se është akoma, sepse ka dhënë shumë kontribut në AKR. Tash sikur që ka dhënë dorëheqje, mund të kthehet prapë në parti. Ne e presim, sepse ka qenë një bashkëpunëtor shumë i mirë dhe është shumë i shkëlqyeshëm Korabi”, tha Tahiri.

Ndryshe, seanca konstituive e kuvendit, e cila u shty në mungesë të deputetëve të PAN-it, pritet të vazhdojë në ora 14:00./kp