Aktuale

Eksodin po e shkaktojnë komunat me bllokimin e ndërtimeve

Shoqata e Ndërtuesve dhe Prodhuesve të Materialeve Ndërtimore, e drejtuar nga Kryetari i Ibrahim Selimaj, kritikon qeverisjen lokale për bllokadë të zhvillimeve biznesore e në veçanti ndërtimeve e cila është prej arsyeve më të mëdha që po shkakton ikjen e rinisë kosovare.

Kjo shoqatë, Proteston ashpër ndaj kësaj bllokade dhe dukurisë së ikjes.

“Shoqata proteston ashpër ndaj dukurisë më të shëmtuar të Eksodit që këto ditë Serbia ua hapi dyert gjeneratave më me vlerë të Kosovës – asaj të fuqishme për punë fizike dhe intelektuale”, ka deklaruar kryetari i Shoqatës, Ibrahim Selimaj.

Ai apelon tek qeverisja komunale dhe tek Kuvendet Komunale, me theks të veçantë tek Komunat që nuk po lëshojnë leje ndërtimi për shkak të burokracive të ashpra dhe të pa rregullta të cilat i bëjnë bizneset të presin me muaj e vite për një leje ndërtimi.

“Sipas disa statistikave, vetëm në Komunën e Prishtinës, në ndërtimtari janë punësuar 36 mijë punëtor, ndërsa sot nuk janë as 2 mijë punëtor në tregun e ndërtimtarisë. Këto janë shifra alarmante dhe për këtë rinia jonë nuk ka rrugëdalje tjetër përpos të ik nga ky vend”, tha Selimaj.

Shoqata e Ndërtuesve, apelon tek Komunat e Kosovës dhe në veçanti ajo e Prishtinës pasi që mbi 70 për qind e ndërtimeve janë në kryeqytet, të mos maltretohen investitorët, të lehtësohen procedurat dhe t’iu jepen leje ndërtuesve. Kjo, sipas tyre, do të lejonte apo hapte rrugë për ndërtime dhe zhvillim ekonomik – që do të kishte si rezultat punësimin dhe ndaljen e eksodit që po ndodh për ditë e më shumë.