Shefja për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini ka thënë se Marrëveshja e Drejtësisë mes Kosovës e Serbisë do të zbatohet plotësisht më 17 tetor 2017.
Ajo këtë e ka bërë të ditur pas takimit të mbajtur mëngjesin e sotëm në Bruksel në mes të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologut të tij nga Serbia, Aleksandar Vuçiq ku sipas saj, të dy janë dakorduar për këtë gjë.
“Atë ditë, gjykatësit, prokurorët dhe stafi gjyqësor do të integrohen në Gjyqësorin e Kosovës. Integrimi i stafit gjyqësor do të lejojë që drejtësia të shpërndahet nëpër Kosovë dhe, në veçanti, në rajonin e Mitrovicës”, thuhet në në një deklaratë për media të kryediplomates evropiane.
Marrëveshjet për drejtësi mes Kosovës e Serbisë nuk janë zbatuar asnjëherë. Madje marrëveshja e parë për drejtësi ishte arritur me 19 prill të 2013.
Bile edhe ishte hartuar një plan zbatimi, që po të implementohej tani sistemi i drejtësisë në veri do të ishte funksional të paktën që 3 vite.
Bile për më tepër Kosova dhe Serbia, kanë lidhur edhe një marrëveshje tjetër për drejtësinë me 9 shkurt të vitit 2015. Aty palët janë dakorduar edhe një herë për përbërjen e gjykatave, objektet e departamentet.
Por, pavarësisht kësaj marrëveshje, sistemi i drejtësisë në veri mbetet ende jo funksional, ani se afati më i fundit për zbatim të ujdisë, ka qenë 10 janari i këtij viti.





















