Qeveria në detyrë e Kosovës miratuar propozim vendimin përfundimtar për shpronësim për interes publik të pronave të cilat preken nga realizimi i projektit për zgjerimin e mihjes sipërfaqësore për eksploatim të thëngjillit për prodhimin e energjisë elektrike për nevoja të KEK , zona kadastrale Hade dhe Shipitullë, komuna e Obiliqit.
Ministri në detyrë i Mjedisit Ferat Shala tha se në këtë vendim nuk hyjnë dhe gjashtë pronat e pronarëve që kanë pranuar procesin e zhvendosjes.
“Në këtë vendim përfundimtar nuk kanë hyre gjashtë prona të pronareve që kanë pranuar procesin e zhvendosjes dhe kanë nënshkruar marrëveshje për kompensim konform dokumentit kornizë e politikave të zhvendosjes. Pra nga gjithsej 17 prona që kanë qenë në proces të shpronësimit tani në këtë vendim përfundimtar hyjnë vetëm 11 prona për miratim”, tha ai.
Ndërkaq kryeministri në detyrë Isa Mustafa tha se kjo ka të bëjë me tejkalimin e krizës e cila ka qenë e paralajmëruar dhe se me këtë sigurohen kushtet, që KEK të hyjë në pronësi dhe të zhvillohet veprimtaria e rregullt e korporatës në këtë fushë.
“Ne duhet të kërkojmë nga KEK-u, që me kohë t’i përgatis të gjitha këto vendime, në mënyrë që as qeveria as KEK të mos vijn në situatë të tillë të ngutshme. Veçmas tani kur jemi dhe në përgatitje të termocentralit ‘Kosova e Re’ që edhe Banka Botërore dhe investitorët kërkojnë që të jemi shumë efikas dhe të saktë në çështjet e shpronësimeve dhe çështjen e zhvendosjes së popullatës nga këto prona”, tha Mustafa në mbledhjen e Qeverisë/KosovaPress/





















