Aktuale

KMDLNj: Mos të paragjykohet sulmi ndaj Kuvendit

KMDLNj ka reaguar ndaj sulmit të Kuvendit të Kosovës dhe ka bërë thirrje të mos paragjykohet për arsye të ndryshme.

“KMDLNj thërret palët konfrontuese të presin përfundimin e hetimeve, mos ta paragjykojnë rastin dhe kryerësit e mundshëm për qëllime të përfitimeve politike apo eliminimit të kundërshtarit. Paragjykimi i rastit, ende pa përfunduar hetimet dhe adresimi i paargumentuar dhe tendencioz në një adresë të caktuar është shërbimi më i keq që i bëhet hetimeve të cilat duhet të jenë të shpejta, efikase dhe me rezultat konkret.” shkruhet në komunikatën e dërguar për media.

Më tej KMDLNj e gjykon këtë sulm mbi institucionet e Kosovës si veprim kriminal i cili ka për qëllim destabilizimin e situatës apo mbajtjes së kësaj situate në tensionim të vazhdueshëm sikur edhe për të mbjellur frikë.

“Në Kuvendin e Kosovës është e vendosur edhe Presidenca e Kosovës andaj ky sulm mund të konsiderohet edhe si sulm ndaj dy institucioneve të rëndësishme të Kosovës; Kuvendit të Kosovës dhe Presidencës.” theksohet në komunikatë.