Një sasi prej 146 kg lëndë narkotike kanabis sativa është sekuestruar nga policia e Gjirokastrës gjatë kontrolleve të territorit pas informacioneve në rrugë operative.
Si rezultat i operacionit, në vendin e quajtur “Mëllëz”, në një ambient të hapur, në afërsi të fshatit Golem, Gjirokastër, nga shërbimet e policisë u gjetën 27 thasë, brenda të cilëve kishte lëndë të dyshuar narkotike cannabis sattiva, në trajtën e gjetheve dhe kërcejve. Pesha totale e lëndës ishte 146 kg, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Po punohet per identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.
Kurse, një sasi prej 11 kg lëndë narkotike kanabis sativa është sekuestruar nga policia e Vlorës. Lënda narkotike u gjet në fshatin Ilias të Himarës në vendin e quajtur ”Pylli i Llongës”. Sipas komunikatës, droga është konstatuar në brendësi të pyllit, e hedhur përtokë midis pemëve dhe e pa ambalazhuar.
“Shërbimet e policisë po vijojnë kërkimet duke krehur zonën tokësore përreth, me qëllim kapjen dhe ndalimin e autorëve, të cilët janë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Lënda narkotike është sekuestruar nga policia në cilësinë e provës materiale”, thuhet në njoftim.
Materialet janë referuar në Prokurori për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e Narkotikëve”.