Aktuale

Mustafa: Në Prishtinë nuk është punuar asgjë

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është shprehur i bindur në fitoren e kandidatit të kësaj partie për të parin e Prishtinës, pasi sipas tij në mandatin e deritanishëm kryetari aktual Shpend Ahmeti nuk ka punuar asgjë për të mirën e qytetarëve.

Ai me rastin e prezantimit të Arban Abrashit si kandidat i LDK-së për të parin e Prishtinës, ka thënë se gjatë qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje janë kryer vetëm projektet e nisura më herët gjatë mandatit të tij si kryetar i komunës.

“Unë jam shumë i bindur se Abrashi do ta ketë në fillim mjaftë vështirë me ballafaqimin me problemet komunës së Prishtinës dhe problemet e qytetit të Prishtinës, sepse nuk është punuar gjatë këtyre viteve. Është bërë shumë zhurmë, por nuk ka punë dhe projekte esenciale për Prishtinën. Është punuar vetëm në projekte që unë i pata kontraktuar më parë siç ka qenë ai i Termokosit, ose ngrohjes qendrore, projekti i ujësjellësit i cili është kontraktuar dhe janë filluar punimet, projekti i autobusëve. Nuk është ndërtuar asnjë shkollë, është ndërtuar shumë pak nga infrastruktura dhe për fat të keq kemi infrastrukturë të ngritur në prona private dhe oborre private me para publike, por janë çështje që ne s’do të merremi por do të merremi me zgjidhjen e problemeve të qytetarëve në të ardhmen”, tha Mustafa.

Në garën për kandidatin për kryetar të Prishtinës, Mustafa tha se kanë pasur përkrahjen edhe zyrtarë tjerë të LDK-së, si Ismet Beqiri, Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku dhe Avdullah Hoti, por në fund të gjitha këta dhe kryesia e LDK-së kanë vendosur ta mbështesin Arban Abrashin që t’i hyjë garës për kryeqytetin.

Për prezantimin e Abrashit, ishte përzgjedhur sheshi afër komunës së Prishtinës, si simbolikë se LDK është afër rikthimit të qeverisjes së kryeqytetit, pas humbjes së Isa Mustafës në zgjedhjet e fundit komunale nga Shpend Ahmeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Kandidati për kryetar të Prishtinës, Arban Abrashi, shprehu bindjen se më 22 tetor do të marrë drejtimin e kryeqytetit. Ai premtoi se me ardhjen e tij në krye të Prishtinës do të merret me problemet dhe hallet e qytetarëve, e jo të merret me çështje regjionale e ndërkombëtare.

“Siç jemi gjithë dëshmitarë, ne shohim se Kosova është në luftë mes dy ekstremeve, të cilat po përpjekën në Kuvend, po përpjekën në garën e Prishtinës, ku fatkeqësisht qytetari i Kosovës dhe i Prishtinës është vetëm një instrument për të ardhur në pushtet. Koncepti im politik dhe praktik për Prishtinën ka të bëjë që qytetari i Prishtinës të jetë në fokusin tonë. Që t’i ndaj hallet me ta, që t’i ndajë brengat me ta, të ofrojmë zgjidhje të përbashkëta për problemet e qytetarëve të Kosovës dhe Prishtinës. Qytetari i Prishtinës ka problem me ngrohje, me ndriçim, ndotje akustike, ndotje mjedisore, parkingje, transport dhe shumë probleme tjera dhe unë si kryetar i ardhshëm do të merrem me këto probleme e jo me çështje regjionale, çështje ndërkombëtare”, theksoi Abrashi.

Sipas Abrashit, vetë kandidimi i tij ia garanton fitoren përballë Shpend Ahmetit të VV-së. Abrashi tregoi se zgjedhja e sheshit afër ndërtesës së komunës së Prishtinës ka simbolikën e vet që tregon se janë afër rikthimit të qeverisjes në Prishtinë.

“Kjo e tregon një simbolikë në vetë, tregon që jemi afër marrjes së kësaj zyre dhe po ashtu tregon një shesh i cili është shumë afër zyrës, është pranë zyrës së kryetarit, pranë Komunës dhe nuk është investuar me vite. Prandaj, ne mendojmë që me këtë qasje me punë konkrete të vogla do të ndryshojmë jetën e qytetarit të Prishtinës”, tha Abrashi.

Në garën për kryetar të Prishtinës Arban Abrashi do të ketë për kundër-kandidatë Lirak Çelajn nga PDK-ja, Shpend Ahmeti nga Vetëvendosje, Arbër Vllahiu nga AAK-ja, Shyqyri Bytyçi nga Nisma për Kosovën dhe Rifat Deri nga Alternativa. /kp/