Aktuale

PDK nuk merr pjesë nesër në vazhdimin e seancës konstituive

Zëdhënësi i PDK-së, Blerand Stavileci tha se PDK-ja nuk do të marr pjesë në seancën e nesërme, pasi që kryesuesi i seancës konstituive e ka mbyllur seancën e sotme dhe e ka ftuar seancën e nesërme në mënyrë arbitrare.

Ai në një konferencë për media tha se nuk mund të shkojnë në seancën e cila është mbyllur njëanshëm nga kryesuesi i Kuvendit, Adem Mikullovci.

Ai nuk ka pohuar e as mohuar nëse i kanë numrat për zgjedhjen e kryetarit të ri, por tha se mungesa e tyre nuk ka të bëjë me bojkotim, ka të bëjë me respektimin e rregullave demokratike.

Stavileci: PAN-i nuk merr pjesë nesër në seancën për zgjedhjen e kryetarit

Video

“Qëndrimi i koalicionit tonë është jo, sepse ne këtë e kemi thënë dhe e kemi shprehur. Andaj, nuk mundet që dikush në mënyrë autoritare dhe arbitrare ta bëjë një ftesë të tillë. Dhe i kemi parë edhe sot se si ka dhunuar atë foltore, dhe si janë bërë gabimet. Ne kemi kërkuar shtyrjen ,ata e kanë mbyllur seancën”, theksoi Stavileci.

Sipas tij, kryesuesi i seancës është treguar i njëanshëm në kryesimin e mbledhjes për betimin e deputetëve, “Betim me zemër”, që siç tha Stavileci kjo është në mënyrë jo kushtetuese.

Stavileci tha se PDK-ja si në të kaluarën, ashtu edhe në të ardhmen, do të jetë gjithmonë në ballë të zgjidhjes së problemeve dhe ku nuk do të jetë asnjë herë bllokuese, aq më pak dhunuese.

Ai tha se Partia Demokratike e Kosovës apelon te subjektet politike parlamentare, që të mos i shantazhojnë të zgjedhurit e popullit, por t’i lënë të lirë, sepse si përfaqësues të qytetarëve, deputetët i nënshtrohen vetëm vullnetit dhe ndërgjegjes së tyre.

Sipas Stavilecit përpjekjet e subjekteve politike humbëse të zgjedhjeve për të bllokuar krijimin e institucioneve shtetërore, do të dështojnë dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejohet tjetërsimi i vullnetit të qytetarëve të Kosovës, të shprehur në zgjedhjet e 11 qershorit.

Stavileci: Mentaliteti uzurpues i Vetëvendosjes dhe koalicionit të LDK-së është shqetësues

Video

“Mentaliteti uzurpues dhe manipulues i partisë Vetëvendosje dhe koalicionit të LDK-së, është shqetësues, jo vetëm për situatën aktuale, as vetëm për një pozicion politik, siç mund të jetë pozita e kryeministrit apo kryeparlamentarit, por për kushtetutshmërinë dhe vullnetin e cenuar qytetar, duke krijuar kështu precedentë që nuk i japin zgjidhje problemit, por e legjitimojnë metodën e tyre uzurpatore dhe dhunuese për shtetin dhe institucionet”, tha ai.

PDK, sipas tij, është e vendosur që mos t’i nënshtrohet asnjë diktati politik.