Aktuale

Zbardhet ngjarja në burg, shkak gjakmarrja

Dy persona janë arrestuar në flagrancë nga policia e Tiranës në lidhje me plagosjen e ndodhur ditën e djeshme (30 korrik) në burgun e Vaqarrit, ku mbeti i plagosur me armë shtetasi Lili Dulaj.

Policia e Tiranës sqaron se shënjestër ka qenë shtetasi Gazmi Daci, ndërsa në pranga kanë përfunduar Ergys Kolaveri, 25 vjeç dhe Enea Ceka, 24 vjeç, banues në Tiranë.

Ngjarja duket se ka prapavijë hasmërie, për shkak se shtetasi Gazmir Daci, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Valmir Kolaveri, dhe plagosur rëndë vëllanë e tij Robert Kolaveri, i cili aktualisht është i paralizuar.

Sqarimi i plotë i policisë së Tiranës:

Më datë 30.07.2016, rreth orës 16:30, në ambientet e ajrimit, brenda I.E.V.P, Vaqarr,  Tiranë, është plagosur me armë zjarri në pjesën e këmbës shtetetasi Lili Dulaj, i  dënuar më parë në shtetin e Kosovës, për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor dhe aktualisht i ndaluar me masë sigurimi “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhunë në familje”, i cili ndodhet në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën.

Nga hetimet ka rezultuar se ky person është goditur nga një distancë e konsiderueshme jashtë mureve rrethuese të këtij burgu dhe ndaj tij dyshohet se është qëlluar me një armë zjarri.

Gjatë veprimeve të para hetimore, ka rezultuar se, shtetasi Lili Dulaj nuk ka qenë shënjestra e këtij atentati, pasi shënjestër ka qenë shtetasi Gazmir Daci, i cili ndodhet në masën arrest në burg, për veprat penale “Vrasje me dashje”, “Vrasje e ngelur në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, pasi ky shtetas më datë 04.11.2015, pas një konflikti të mëparshëm, ka vrarë me armë zjarri shtetasin Valmir Kolaveri dhe plagosur rëndë vëllanë e tij Robert Kolaveri, i cili aktualisht është i paralizuar.

Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se nga vendi i ngjarjes është larguar me shpejtësi një automjet tip “Mercedes Benz” Vito ku nga verifikimet rezulton posedues  shtetasi Ergys Kolaveri, vëllai i Valmir dhe Robert Kolaveri. Në momentin e kapjes së tij, ai ka qënë së bashku me shtetasin Enea Caka, kushëri i tij.

Gjatë kontrollit të mjetit në pjesën e poshtme të sediljes së automjetit janë gjetur një palë dylbi për pamje në largësi, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i’u kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale, “Vrasje për gjakmarrje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”, në ngarkim të shtetasit Ergys Kolavari dhe “Moskallëzim i krimit”, në ngarkim të shtetasit Enea Ceka.

Grupi hetimor po vazhdon punën për sqarimin e gjithë dinamikës së ngjarjes dhe autorëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë vepër penale.