Aktuale

PAN-i si ka të sigurta as votat e Listës Serbe

Në kohën kur po ofrohet mbajtja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, koalicioni PAN nuk i ka të sigurta as votat e deputetëve të Listës Serbe.
Këtë të paktën e ka thënë vet deputeti serb Sasha Millosavljeviq të mërkurën, kur bashkë me kolegët e tij, u regjistruan si deputetë të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës.Milosavljeviq, tha se ende nuk kanë marrë qëndrim nëse do ta votojnë kandidatin e PAN-it për kryetar Kuvendi e as për Qeverinë e Haradinajt.Madje theksoi se deri me tani nuk kanë diskutuar me askënd nga PAN-i, derisa, e quajti të natyrshëm rolin e Beogradit për përcaktimin e tyre politik.

Por, në anën tjetër ndryshe tha zëvendëskryetari i PDK-së Enver Hoxhaj, i cili theksoi se ka pasur takime javët e fundit nga Haradinaj e Veseli me përfaqësuesit e Listës Serbe. Derisa, numri dy i PDK-së, është shprehur i bindur se i kanë votat dhe me 3 gusht do ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit.

Por, të vendosur duken deputetët e koalicionit LAA për të mos i dhënë votë as Veselit nëse del kandidat për kryetar të Kuvendit, e as Haradinajt për formimin e Qeverisë.I shumë përfoluri se do ta votoj Haradinaj për kryeministër, Naser Rugova, me bindje të plotë theksoi se do të votojë vetëm në bazë të vendimeve të organeve me të larta të LDK-së.Derisa, për takimin me Haradinajt, tha se ishte një kafe miqësore, madje nuk kanë biseduar fare për politikë.


Një jo të madhe për Veselin kryetar Kuvendit dhe Haradinaj kryeministër, e ka LDK-ja, thotë deputetja e kësaj partie Hykmete Bajrami.

Të vendosur u shprehën edhe deputetët e AKR-së, për të mos e votuar as Veselin për kryetar Kuvendit e as Haradinajn për kryeministër.

E, kryetarja e Alternativës, që është në koalicion me LDK-në e AKR-në, Mimoza Kusari-Lila thotë se kurrë më shumë se kësaj radhe nuk ka qenë më mirë për të ndryshuar qeverisjen në Kosovë.Kusari-Lila: Nuk e votojmë as Veselin as Haradinajn(Video)“Jo, asnjë paqartësi nuk ka, koalicioni është i përcaktuar me vullnetin e lirë dhe me optimizëm për të ardhmen e vendit që këto zgjedhje do të sjellin ndryshim. Koalicioni që ka dal i pari, koalicioni PAN nuk i ka numrat. Ne nuk do ta votojmë kandidatin e PAN-it për kryetar të Kuvendit nëse është Veseli, por as Qeverinë Haradinaj. Besoj se kurrë me shumë se kësaj radhe nuk ka qenë e qartë se duhet një ndryshim në Kosovë”, u shpreh ajo. Deputetët e zgjedhur do të kenë afat edhe nesër që të kryejnë regjistrimin si deputetë të legjislaturës së gjashtë. Vetëm ditën e sotme u regjistruan 43 deputetë, ndërsa në ditën e djeshme u regjistruan 46, në total janë regjistruar 89 deputetë të legjislaturës së gjashtë.