Aktuale

Engel – Bashës: Konsensusi garanton një drejtësi të pandikuar politikisht

Në ditën e fundit të Konventës Kombëtare të demokratëve, ku Hilari Klinton pranoi nominimin për kandidate për presidente të SHBA-ve, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u takua me senatorë dhe kongresmenë mes të cilëve dhe me bashkëkryetarin e Komitetit për Europën, Eliot Engel.

Engel ka vlerësuar kontributin e rëndësishëm të Bashës dhe PD për reformën në drejtësi. Engel e përgëzoi Bashën për lidershipin e treguar për të sjellë në fund një reformë bazuar nga standardet më të mira të rekomanduara dhe nga Komisioni i Venecias dhe miratimin me konsensus të saj.

Konsensusi ishte e vetmja mënyrë për të garantuar një drejtësi të pandikuar politikisht, theksoi Engel duke përgëzuar Bashën për qëndrimin e tij parimor.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha shprehu mirënjohjen për mbështetjen e madhe që SHBA i ka dhënë Shqipërisë në këtë proces i cili ishte kompleks dhe i vështirë, por në fund produkti është ai nga i cili përfiton çdo qytetarë.

Pas dekriminalizimit dhe reformën në drejtësi, Basha ka theksuar se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë sfida e ardhshme për Shqipërinë. Për këtë Basha kërkoi ndihmën dhe mbështetjen e Engel dhe të Komitetit për Europën në kongresin amerikan.

Engel ndërsa theksoi se një vend nuk mund të bëj progres nëse nuk garanton votën e lirë të qytetarëve të tij ka ofruar mbështetjen dhe gadishmërinë për të kontribuar në të gjithë procesin që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri.