Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona për keqtrajtim fëmijësh dhe ka identifikuar dhjetëra lëmoshë-kërkues nga Kosova dhe Shqipëria, në kuadër të operacionit “Identifikimi i fëmijëve lëmoshë-kërkues si viktima të mundshme të trafikimit” në gjithë vendin, i cili kishte për qëllim identifikimin e viktimave të trafikimit dhe zvogëlimin e pranisë së fëmijëve lëmoshë-kërkues në rrugë.
Plani operativ është mbështetur edhe nga akterë tjerë relevantë, si gjykatat dhe prokuroritë e rajoneve përkatëse, Qendra për Punë Sociale, Drejtoria për Migrim dhe të Huaj e PK-së.
Gjatë zbatimit të këtij plani operativ janë identifikuar tridhjetë e dy fëmijë lëmoshë-kërkues, 20 shtetas të Kosovës dhe 12 shtetas të Shqipërisë, njëzet e një lëmoshë-kërkues të moshës së rritur, 15 shtetas të Kosovës dhe 6 shtetas të Shqipërisë, si dhe janë arrestuar katër persona nën dyshimin e përfshirjes në veprën penale ‘keqtrajtim apo braktisje e fëmijës’ dhe janë ngritur njëmbëdhjetë kallëzime penale mbështetur në po këtë vepër.
Shtetasit e huaj janë dërguar për procedurë të mëtutjeshme në Drejtorinë për Migrimi dhe të Huaj që të vazhdojnë me veprime tjera bazuar në ligjin për të Huaj.





















