Pas 28 vjetësh, tragjedia e Hillsborough, ku kanë humbur jetën 96 tifozë të Liverpool në stadiumin e Sheffield Wednesday, me rastin e gjysmëfinales së Kupës së Anglisë të “Reds” kundër Nottingham Forest, ka ardhur një zhvillim i ri.
Komandanti i policisë, që ishte në shërbim në atë 15 prill të 1989-ës, David Duckenfield, 72 vjeç, në pension, do të duhet të përgjigjet në gjyq për të gjitha vendimet që ka marrë atë të ditë dhe për mangësitë që kanë shkaktuar tragjedinë më të rëndë të historisë së sportit anglez.
Akuzohet për vrasjen e 95 personave nga pakujdesia. Për arsye ligjore, nuk do të mbahet përgjegjës për vdekjen e Tony Bland, i ndarë nga jeta katër vite pas tragjedisë. Nën akuzë kanë përfunduar edhe ish-inspektori i policisë Norman Bettison dhe katër persona të tjerë, shkruan telesport.al.
Bettison është i akuzuar se ka gënjyer për të fajësuar tifozët e Liverpool për ngjarjet e asaj ditë. Avokatët Peter Metcalf, Donald Denton dhe Alan Foster akuzohen se kanë ndërhy me hetimet. Graham Mackrell, ish-sekretari i Sheffield Wednesday, është nën akuzë se ka shkelur rregullat e sigurisë dhe shëndetit që parashikohen në legjislacionin e sektorit sportit.
Në një deklaratë të dhënë në Dhomën e Komunave, kryeministria e Anglisë Thersa May, ka shpjeguar: “Kam punuar me familjet e viktimave kur kam qenë ministre e Brendshme. E di se kjo do të jetë një ditë me shumë emocione për ata”.Familjarët e 96 viktimave kanë qenë të pranishme para gjykatës së Liverpool, ku është marrë vendimi që do të detyrojë David Duckenfield dhe pesë të akuzuarit e tjerë të paraqiten në gjykatë më 9 gusht.