Ndërsa e gjithë vëmendja e këtyre ditëve të fundit i është dhënë e gjitha reformës në drejtësi, një tjetër ngjarje e rëndësishme për jetën e shqiptarëve ka ndodhur…veçse në këtë rast ajo pritet që t’i dëmtojë ata.
Bëhet fjalë për vendimin për të dhënë me koncesion mirëmbajtjen e rrugës së Kombit një kompanie turke, e cila ka fituar tenderin. Asgjë e keqe deri këtu! Veçse tashmë kalimi në Rrugën e Kombit do t’i kushtojë shqiptarëve 5 euro! Për çdo herë që do të udhëtojë nga Kosova drejt Shqipërisë dhe anasjelltas.
Ja sesi e komenton Dom Gjergj Meta vendimin e Ministrisë së Transporteve për të lejuar këtë konçesion:
“Ky koncesion do të thotë rritje e çmimit të biletës për udhëtaret e shkretë, për furgonat e autobusat. Po ashtu për biznesin e mesëm dhe të vogël do të thotë rritje të produkteve që shiten e kështu përsëri qytetarët që blejnë, penalizohen. Kjo rrugë duhet t’i mbetet shtetit edhe për shumë vite, derisa të krijohet një mirëqenie relative sidomos për fshtarat e varfër të verilindjes që e shohin Rrugën e Kombit si një dalje të rëndësishme. Une them që kjo është e padrejtë dhe penalizon qytetarët e thjeshtë dhe të varfërit, sepse Rruga e Kombit kalon në një ndër zonat më të varfëra të Shqipërisë. PO ashtu edhe kosovarët që vijnë në Shqipëri do të penalizohen nga kjo gjë sidomos ata që kane lidhje të përditshme apo të përjavshme me Shqipërinë. Ndoshta ka më eskperte se une dhe ma hedhin poshtë këtë që po them. Të mos flasim pastaj për cilësinë e konçesionit se si do të jetë në mirëmbajtjen e rrugës e cila sigurisht do të ketë nevoje të monitorohet mirë, shume mirë. Nëse nuk mund ta quajme vjedhje, sepse ndoshta procedurat jane bërë në rregull, une me plot gojën e quaj një atentat ndaj qytetarit me nivel ekonomik te ulët dhe te mesëm”.