Aktuale

Kastrati: Ushtria e Kosovës do të bëhet këtë vit

Më shumë se tri dekada barti uniformën ushtarake. Pas këtyre viteve shërbimi si ushtarak iu rrek politikës. Dhe për të shërbyer në këtë sferë iu bashkua Partisë Demokratike të Kosovës.

Ndonëse pati oferta edhe nga partitë tjera zgjodhi PDK-në që tash udhëhiqet nga Kadri Veseli e për 16 vjet u drejtua nga Hashim Thaçi.

Ish-komandanti i FSK-së Kadri Kastrati në një intervistë për KosovaPress tregon edhe arsyen pse iu bashkua PDK-së, e jo partive tjera.

“Kam pasur oferta nga të gjitha përveç Vetëvendosjes dhe unë e zgjodha Partinë Demokratike për arsye se Partia Demokratike ka një lider që është i dijes, është vizionar, është largpamës, din se çka donë dhe ka guximin që të dërgon Kosovën përpara. Arsyeja tjetër është që shokët e mi kryesisht i kam në PDK-në dhe shkova tek shokët e mi, apo erdha tek shokët e mi. E treta, është PDK-ja është parti vizionare, parti e cila ka njerëz intelektualë, ka njerëz me bagazhe të kaluar që kanë pasur qoftë në politikë, qoftë në jetën ushtarake apo në jetën e përgjithshme në Kosovë. Këto janë arsyet pse unë kam hyrë në politikë dhe kam hyrë në PDK”, tha Kastrati.

Kastrati që vjen nga Podujeva është në mesin e kandidatëve për deputet në zgjedhjet e 11 qershorit. Edhe pse PDK ka hyrë në koalicion me AAK-në dhe Nismën, ish-komandanti i FSK-së ia ka arritur që të futet në listë për deputet krahas edhe dy kolegëve që vijnë nga dega e Llapit.

Kastrati falënderon degën e Podujevës e cila e ka nominuar për kandidat, por njëkohësisht edhe kryetarin e partisë që e ka pranuar këtë nominim.

Kastrati në një intervistë për KosovaPress flet edhe për koalicionin me AAK-në dhe Nismën për të cilin thotë se është koalicion që ka guxim dhe brenda tij ka njerëz vizionarë që marrin vendime.

Ai është i bindur se koalicioni do të fitojë dhe vetëm iu duhet që t’i bëjnë 60 deputetë dhe se me Ramush Haradinajn kryeministër, ushtria e Kosovës do të bëhet këtë vit.

“Ushtria do të bëhet këtë vit. Ne dëshirojmë të bëhet me ndryshime kushtetuese dhe ju e dini edhe më herët unë kam qenë mediatikisht edhe para se mu iniciua ligji, shumë herë edhe e kam dhënë atë mendimin tim që nëse nuk shkon plani A duhet me shkua me plani B, Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj. Unë e kam mirëpritur edhe presidenti e ka treguar një aftësi lidershipit, të një lideri të vërtetë që ka marrë iniciativën dhe e ka iniciuar ligjin për ndryshimin e mandatit të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe këtë vit ne do ta bëjmë ushtrinë. Ne kishim dëshiruar dhe po e përsëris prapë me ndryshime kushtetuese, kishim dëshiruar që serbët të rishikojnë vendimin dhe atë qëndrimin e tyre”, tha Kastrati.

Edhe pse bërjen e ushtrisë pa ndryshime kushtetuese e kanë kundërshtuar Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e BE-së, Kastrati thotë se edhe partnerët strategjikë do të binden që nëse serbët nuk pranojnë ta votojnë ushtrinë do ta përkrahin formimin e saj. Pasi që sipas tij SHBA-ja e cila ka investuar shumë në dizajnimin, në përgatitjen e transformimit të Forcës së Sigurisë në Forca të Armatosura do të jenë të bindur që tjetër zgjidhje nuk ka.

Njeriu i cili ka qenë epror i lartë në UÇK në Zonën Operative të Llapit që nga paslufta ka shërbyer në TMK, FSK e pastaj edhe në krye të kësaj force thotë se FSK-ja ka qenë e gatshme që të bëhet ushtri qysh në vitin 2014.

Kastrati, i cili aderoi në PDK vetëm disa javë para shpalljeve të zgjedhjeve të parakohshme beson se PDK-ja në Llap kësaj radhe do të dalë fituese e zgjedhjeve.

“Unë jam shumë i bindur që në këto zgjedhje nacionale në Llap dhe Besianë, Partia Demokratike e Kosovës do ta kaloj për një përqindje Lidhjen Demokratike dhe kjo është një parapërgatitje që në tetor apo nëntor kur janë zgjedhjet e rregullta lokale Partia Demokratike do të ndryshojë, do të jetë një fillim i ri për Besianën, një Fillim i Ri për Llapin”, thotë Kastrati.

Sipas tij të vetmet investime që janë bërë në trevën nga vjen ai janë bërë nga Qeveria e cila është udhëhequr nga PDK-ja.

Kastrati beson se ka ende për t’i dhënë Kosovës dhe shpreson se ushtarët e tij dhe popullata do ta vlerësojë këtë.

Ai premton se për të qenë më afër qytetarit me shpenzime të veta do të hapë një zyrë në Podujevë

“Kjo zyre e imja do ta paguaj personalisht, jo në selinë e Partisë Demokratike, do ta paguaj personalisht qe një herë në dy javët do të kem një orar të punës të plotë që do të bisedojë me qytetarët, do të marr idetë e tyre, do t’i dëgjoj hallet e tyre dhe kjo është ideja e imja dhe kjo duhet, unë do ta praktikoj që do ta kem një komunikim të vazhdueshëm me qytetarët. Jo të shkoj unë çdo tri vjet apo katër vjet të lypi votën e tyre, por do të jem në mënyrë të vazhdueshme në komunikim me ta”, thotë Kastrati.

Ndonëse nuk e di ende se a do të marr votat e mjaftueshme për deputet, si duket Kastrati i PDK-së ka ende nostalgji për ushtrinë. Nëse do të zgjidhte në mes të deputetit dhe ndonjë posti tjetër ai thotë se më me dëshirë do ta pranonte postin e ministrit të FSK-së.

“Unë e kisha pranuar ministër i FSK-së për arsye se e njoh atë zanat, i kam mbikëqyrur apo i kam udhëhequr të gjitha proceset nga lufta deri në përgatitjen e FSK-së për ushtri edhe me kënaqësinë më të madhe e kisha marrë atë post. Mirëpo, prapë se prapë them se kjo absolutisht nuk varet prej meje, kjo varet prej liderit të partisë, varet prej udhëheqësit dhe prej kryesisë qendrore të PDK-së , mirëpo unë po e garantoj qytetarin, e garantoj edhe liderin e PDK-së që punën që e marr e kryej me profesionalizëm”, tha Kastrati.

Gjenerallejtënati nga Katunishta nuk frikësohet nga konkurrentët e tij, të cilët disa nga ta kanë qenë eprorë të UÇK-së dhe së bashku kanë marrë pjesë në beteja të ndryshme në Zonën e Llapit. Për këtë bazohet në të kaluarën e tij siç thotë pa afera dhe kontribute i tij para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Kastrati në listën e koalicionit PDK-AAK dhe Nisma garon me numrin 59./KosovaPress/