Banorët e lagjes “Gulmivadë” të fshatit Marec janë në hall me rrugën e fshatit, e cila është bërë e pakalueshme. Për rregullimin e rrugës ata në Komunën e Prishtinë kanë dorëzuar hiç më pak se 43 shkresa. Por siç thonë në Komunë, rruga nuk ka mundur të rregullohet në mungesë të mjeteve, shkruan sot, gazeta Zeri.
Banorët e lagjes “Gulmivadë” të fshatit Marec, komuna e Prishtinës, që nga viti 2014 i janë drejtuar me shkresa Komunës së Prishtinës për asfaltimin e rrugës Dragoc–Gulmivadë.
Por as pas katër vjetësh kjo rrugë nuk u asfaltua dhe një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë, të paktën deri në pranverën e vitit të ardhshme.
Banorët, të cilët jetojnë atje, thonë se rruga është bërë e pakalueshme e derisa në anën tjetër në Komunën e Prishtinës thonë se e kanë projektuar këtë rrugë, por që nuk kanë mundur ta përfundojnë në mungesë të buxhetit.Zyrtarët të Komunës po ashtu thanë se projekti ka kaluar në Ministrinë e Infrastrukturës gjersa këta thonë se fajin për këtë e ka Komuna sepse nuk e ka dërguar projektin me kohë në MI.
Ekrem Bytyqi, njëri prej banorëve që i kishte dërguar kërkesat në Komunë dhe në Ministri, ka thënë për “Zërin” se që nga viti 2014 deri në vitin 2017 i kanë dërguar kërkesat, por që deri më tani ende askush nuk e ka marrë në përgjegjësi.
“Ne i kemi dërguar 43 shkresa në Komunën e Prishtinës që nga viti 2014 dhe përmes tyre ne kemi kërkuar që kjo rrugë të asfaltohet. Mirëpo, përgjigjja e tyre ka qenë se gjoja në mungesë të mjeteve buxhetore nuk po asfaltohet rruga. Pastaj 8 kërkesa i kemi dërguar edhe në Ministrinë e Infrastrukturës. Rruga është në gjendje të mjerueshme, banorët nuk munden as tek varrezat të shkojnë me automjete për shkak të rrugës së dëmtuar, sidomos kur ka të reshura”, ka thënë Ekrem Bytyqi, banor i Gulmivadës.