Në mungesë të vullnetit politik në Republikën e Kosovës, për një reformim të thellë substancial të sistemit të drejtësisë nga politika dhe institucionet vendore, njohësit e kësaj fushe konsiderojnë se po mbetet rrugëdalje e vetme, ndonëse jo shumë popullore dhe e dëshiruar, modeli i presionit ndërkombëtar për një reformë thelbësore në drejtësi, që po ndodh aktualisht në Shqipëri, si mënyra dhe çelësi i vetëm që duhet t’i imponohet me kushte edhe politikës së tejkriminalizuar të Kosovës, shkruan Gazeta Kosova Sot.
Tani së fundi, vetë modeli shqiptar, rezistenca dhe përplasjet mes pozitës dhe opozitës për këtë proces, po tregojnë më së miri se politika nuk është e gatshme që ta lëshojë aq lehtë, kur është në pyetje shkëputja përfundimtare nga interesat e veta kriminale, ndërkaq që situata është edhe shumë më keq në Republikën e Kosovës, pikërisht në këtë fushë. Kjo është një arsye pse ndoshta edhe Kosovës i duhet një presion i fortë, i vendosur dhe i shpejtë i SHBA-së dhe BE-së për dekriminalizimin e plotë të të gjitha institucioneve të shtetit, përmes reformave të thella, dhe sidomos reformës së shpejtë e të fuqishme, gjithëpërfshirëse në sistemin e drejtësisë, jo vetëm të degraduar, por edhe të shkatërruar në Republikën e Kosovës.
Mungon vullneti politik
Adem Salihaj, deputet i LDK-së, thotë se zgjidhja më fatlume do të ishte veprimi i vullnetshëm i vetë institucioneve të vendit, por nëse kjo nuk ndodh, zgjidhja e domosdoshme është nga imponimi ndërkombëtar, ngjashëm me atë që po ndodh në fqinjësi, në Shqipëri, edhe pse imponimi ndërkombëtar mund të jetë me preferenca selektive dhe jo i plotë për veprime gjithëpërfshirëse. “Modeli i reformës së dekriminalizimit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri është një model jo edhe aq i mirë, por që nuk ka mbetur rrugë tjetër për të bërë diçka sadopak që të ndalet krimi dhe korrupsioni, i cili i ka tejkaluar të gjithë kufijtë”, theksoi ai. “Në situatën kur dihet se strukturat politike janë plotësisht të kriminalizuara dhe të korruptuara, nuk mund të pritet që ato vetë ta luftojnë krimin dhe korrupsionin brenda vetes, sepse ato, si strukturë, kanë tendencë ta rrisin atë, e jo ta luftojnë. Ana negative e ndërhyrjes së jashtme qëndron në faktin se faktori i jashtëm do ta aplikojë një politikë selektive, duke ndjekur strukturat politike që nuk i shkojnë për shtati atij dhe duke shikuar përmes gishtave strukturat e tjera politike, që janë po ashtu të kriminalizuara, por që janë servile ndaj këtij faktori”, theksoi ai. “Po të ishte një qëllim i sinqertë i faktorit të jashtëm, atëherë edhe humbja e një pjese të sovranitetit dhe krijimi i një vazaliteti ‘vullnetar’ disi do të arsyetohej”, tha Adem Salihaj për “Kosova Sot”.