Në hollin e Galerisë Mehmet Pasha “Hamam” në Prizren, për dy ditë me radhë është mbajtur e hapur ekspozita kolektive tradicionale e studentëve të Fakultetit të Arteve, dega Pikturë dhe Arte Vizuale, të Kolegjit AAB.
“Artistët e ardhshëm, studentët e Kolegjit AAB, të cilët tashmë për herë të parë ekspozouan para publikut, janë përcaktuar me punët e tyre krijuese. Dikush në pikturë e dikush në instalacionet e tyre modeste por me një mesazh shumë të fortë, të cilët falë mjeteve shprehëse dhe ndjeshmërisë së hollë koloristike, që krijojnë dhe kufizojnë hapësira duke lënë gjurmë në rolin e imazheve artistike”, tha kuratori Enver Hoxhaj, njëheri edhe mësimdhënës në këtë fakultet.
Ndërsa prodekani në Fakultetin e Arteve, Fitim Aliu, shtoi se tematika e punimeve të ekspozuara ka qenë e lirë dhe kanë dalluar njëra me tjetrën, vetëm e vetëm për t’i shërbyer artit bashkëkohorë në përgjithësi: “Dikush qorton dhe vetëdijeson rrethin ku jeton, tjetra ëndërron ngjyrat e Sistemit Diellorë, tjetri paraqet imazhet e New York’ut sikur të ishte njujorkez”, tha Aliu.
Po ashtu edhe studentët u shprehen se; në punimet e ekspozuara kanë punuar profesionalisht, me një përkushtim të madh dhe se angazhimi i mësimdhënësve nuk ju ka munguar, duke kontribuar që puna e tyre të prezantohet sa më mirë.
Të pranishëm me rastin e hapjes së kësaj ekspozite përveç menaxhmentit të Kolegjit AAB, morën pjesë edhe përfaqësues të institucioneve, studentë dhe profesorë, përfaqësues të universiteteve partnere të AAB etj.
























