Rajon & Botë

Qëndrimi i Presidentit Trump ndaj NATO-s

Gjatë udhëtimit të tij të parë jashtë Shteteve të Bashkuara, presidenti Trump do të takohet në Bruksel me udhëheqësit e tjerë të vendeve anëtare të NATO’s. Disa prej tyre janë të shqetësuar rreth angazhimit të presidentit ndaj aleancës, në të cilën Shtetet e Bashkuara kanë luajtur një rol kryesor që nga formimi i saj në fillim të Luftës së Ftohtë.

Presidenti Trump shprehu ndryshim mendimi pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO’s muajin e kaluar.

“Thashë se është e padobishme, por jo më”, deklaroi ai.

Gjatë fushatës zgjedhore, Trump i shqetësoi anëtarët e NATO-s duke u zotuar se do të mbante një qëndrim nacionalist dhe izolacionist. Por, kjo në fund të fundit ishte e parealizueshme, thonë disa analistë.

“Ai ishte shumë i informuar më parë. Nuk është e qartë se sa më i informuar është sot, por është shumë e vështirë të hedhësh poshtë një aleancë e cila ka qenë e rëndësishme për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara që nga viti 1949”, thotë analisti James Goldeier.

Këshilltarët kryesorë thonë se Trump do ta përcjell këtë mesazh në Bruksel.

“Presidenti Trump e kupton se ‘Amerika e Para’ nuk do të thotë ‘Amerika vetëm’. Përkundrazi, përkushtimi në interesat amerikane nënkupton forcimin e aleancave dhe partneriteteve që na ndihmojnë të shtrijmë ndikimin tonë dhe të përmirësojmë sigurinë e popullit amerikan” thotë H.R. McMaster, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare.

Por, Trump këmbëngul në një pikë – se të gjithë anëtarët e NATO-s duhet ta ndajnë barrën në mënyrë të barabartë duke iu përmbajtur një premtimi të mëparshëm për të kontribuar dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto në buxhetet e tyre ushtarake.

“Pyetja është – cilat janë rezultatet e këtij investimi? Ata kanë shumë për të bërë se kanë qenë mbrapa. Sa kanë filluar të bëjnë investimet e nevojshme. Dhe pastaj, sigurisht, duhet të realizosh një forcë shumëkombëshe dhe ta integrosh atë në një njësi luftimi të ndërlidhur”, thotë analisti Stephen Blank.

Përkrahësit e NATO’s thonë se me një Rusi më agresive, problemet në Lindjen e Mesme dhe një fushatë të vazhdueshme për të luftuar terrorizmin në Afganistan dhe gjetkë, aleanca është po aq e rëndësishme sa më parë. Ata shpresojnë se udhëheqësit e tjerë në samitin e Brukselit mund ta bindin Presidentin Trump për këtë.