Rajon & Botë

Kryeministri francez: Franca nuk do të destabilizohet

Kryeministri i Francës Manuel Valls ka deklaruar sot për radion “France Info” pas masakrës në Nisë se “Franca është një vend i madh që nuk do të lejojë të destabilizohet”.

Valls tha se “është gjendje emergjence. Së pari do të presim familjet dhe do t’u kthejmë atyre trupat e të afërmëve pasi të jenë identifikuar. Të gjitha institucionet e shtetit janë të mobilizuara për të ndihmuar familjet dhe le ti shoqërojnë ato në këtë moment tejet të vështirë.”

Valls shpalli tre ditë zie kombëtare si homazh ndaj viktimave: Franca është një vend i madh që nuk do të lejojë të destabilizohet, – tha ai. -Terrorizmi është një kërcënim që peshon rëndë në Francë dhe do të peshojë ende për një kohë të gjatë.

Kemi marrë këto masa:

Kemi aktivizuar celulën ndërministrore të krizës. Departamenti Alpes-Maritime është në nivelin e sigurisë maksimale.

Seksion antiterrorist i Prokurorisë së Parisit ka filluar hetimin.

Çdo informacion do t’i përcillet mediave nga Prokurori i Republikës.

Qeveria ka aktivizuar celulën “ndihmë për viktimat”.

Presidenti ka ngritur në maksimum nivelin e sigurisë dhe konfirmoi vazhdimin e operacionit “Sentinel”

Xhandarmia Kombëtare është e angazhuar maksimalisht për mbrojtjen e vendit duke angazhuar edhe rezervistët e saj.

Së fundmi, qeveria do të propozoj një ligj të ri në parlament që të shtyjë edhe tre muaj gjendjen e jashtëzakonshme,” përfundoi Valls

Gjendja e jashtëzakonshme merrte fund në  26 korrik dhe për shkak të masakrës në Nisë do të shtyhet sërish.

Prokurori i Republikës Fransua Molën do të japë një konferencë për shtyp në Nisë në orën 17:00.