Aktuale

Bankat e huaja në Shqipëri me kapital të qëndrueshëm

Grupet e huaja bankare që zhvillojnë aktivitetin në Shqipëri, kanë shënuar përgjithësisht nivele të qëndrueshme kapitalizimi.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se aktiviteti i tyre vijon të ndikohet përgjithësisht në rënie, nga procesi i uljes së niveleve të borxhit dhe nevoja për të pastruar bilancet nga kredia me probleme.

Megjithatë, rezultatet e ushtrimit të provës së rezistencës të Autoritetit Evropian Bankar (EBA, korrik 2016), dëshmuan për aftësi të mira në përballimin e goditjeve me natyrë makroekonomike, pavarësisht rritjes së ndjeshmërisë tek disa prej grupeve bankare.

Për sa i takon ecurisë së peshës së filialeve shqiptare në aktivitetin e grupit bankar, ecuria e këtyre peshave ka qenë në drejtime të ndryshme, duke reflektuar specifikën e veprimtarisë së secilës palë.

“Tkurrja e aktivitetit tek disa nga grupet bankare evropiane që veprojnë në vendin tonë, ruan stimujt për ristrukturimin e veprimtarisë, duke përfshirë edhe ndryshimin e rrjetit të tyre në vendet jashtë Bashkimit Evropian. Ky proces mbështetet mbi një analizë të plotë të kostove dhe të përfitimeve në nivel grupi në raport me objektivat e tij afatshkurtër dhe afatgjatë, dhe orientohet mbi performancën aktuale dhe potenciale për aktivitetin e çdo njësie të rrjetit në juridiksionet ku veprojnë”, citon BSH-ja.